UNHCR: Refugjatët nuk janë turistë që t’u kërkohet vizë Schengen

​Sllovenia ka filluar zbatimin e regjimit të ri të hyrjes në zonën Schengen dhe nuk do t’i pranojë refugjatët pa viza të rregullta dhe pasaporta, ndërkohë që po për këtë shkak Maqedonia ka vendosur që të mbyll kufirin e saj për refugjatët që vijnë nga Greqia, ndërkohë që në Idomeni rreth 15 mijë refugjatë vazhdojnë të shpresojnë se do t’iu jepet leje për të kaluar kufirin, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

Bota

09/03/2016 16:55

 

Koordinatori i UNHCR-së në Idomeni, Babar Baloch konfirmoi se në tre ditët e fundit, përfshirë edhe ditën e sotme, nuk është lejuar që refugjatët të kalojnë në territorin e Maqedonisë. Ai shtoi se kjo nuk është zgjidhje, pasi mijëra refugjatë tashmë janë të bllokuar në qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni.

“Duhet të kuptojmë se këta nuk janë turistë, por janë refugjatë dhe këta refugjatë vijnë në Evropë duke kërkuar mbrojtje ndërkombëtare nën ligjet ndërkombëtare. Bashkimi Evropian ka për detyrim të veprojë sipas ligjeve ndërkombëtare dhe humanitare si dhe duhet t’iu përmbahet këtyre detyrimeve”, deklaroi Baloch.

Kushtet themelore për jetesë në këtë qendër janë të mjerueshme dhe për këtë Baloch thekson se nëse kufijtë do të vazhdojnë të jenë të mbyllur, do të duhet që refugjatët të shpërndahen në kampet e tjera të ndërtuara në afë rsi të vendkalimit kufitar greko-maqedonas, sepse kampi në Idomeni është duke u përballur me një krizë humanitare dhe kjo do t’i detyronte refugjatët të gjenin zgjidhje të tjera.

“Kjo nuk është zgjidhje, kështu që refugjatët duhet të shpërndahen në kampe të tjera, në të kundërtën ekzistojnë burime të tjera me të cilat do të inkurajohen refugjatët të gjejnë rrugë të tjera. Duhet të marrim parasysh se nëse mbyllet lëvizja legale e kësaj popullate të dëshpëruar, ata do t’i dorëzohen kontrabandës dhe trafikimit, të cilëve nuk u intereson jeta e njerëzve, por u intereson vetëm paraja”, tha Baloch.

Baloch përsëri theksoi se këta janë azilkërkues nga vendet e përfshira nga konfliktet dhe janë persona që nuk mund të kthehen prapa, ndërsa për këtë ai apeloi që të ndërmerren përgjegjësi kolektive të të gjitha vendeve evropiane, e jo vetëm Greqia apo Gjermania.

Refugjatët e vendosur në Idomeni edhe pse ndodhen në kushte të vështira për jetesë dhe me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë thonë se do të vazhdojnë të presin në atë vend, pasi që nuk kanë se ku të kthehen prapa. Një numër i madh i tyre nuk kanë pasaporta, por me vete mbajnë vetëm një dokument i cili tregon se është refugjat.

“Ne do të vazhdojmë të presim deri kur të na japin leje për të kaluar kufirin, nuk kemi ku të shkojmë. Do të vazhdoj të pres këtu në baltë, në këtë papastërti dhe shpresoj që Bashkimi Evropian një ditë do të vendosë që të na japë një mundësi që të vazhdojmë udhëtimin tonë”, tha një refugjat sirian.

Disa grupe të refugjatëve kohë pas kohe në shenjë proteste bllokojnë hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë, duke brohoritur Angela Merkel me flamurin gjerman në dorë kërkojnë ndihmë nga Gjermania që të gjejë një zgjidhje për to.

“Që prej tri ditësh kufiri është i mbyllu r dhe nuk lejohet që të kalojë askush. Gjatë ditës së sotme ka patur reshje shiu dhe kushtet për jetesë vazhdimisht përkeqësohen. Nuk mund të durojmë më tepër dhe çdo ditë do të protestojmë kundër mbylljes së kufijve”, tha një refugjat irakian.