UNESCO: Një e treta e Alepos është shkatërruar

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) njoftoi dje se rreth një e treta e qytetit antik sirian të Alepos është shkatërruar gjatë luftës.

Bota

21/01/2017 14:16

UNESCO ka kryer një mision urgjent në Alepo, nga e hëna deri të enjten, për të vlerësuar dëmtimin e ndërtesave që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore në botë.

Janë konstatuar dëme të mëdha në xhaminë e madhe ”Umayyad”, në kështjellën e qytetit si dhe te ndërtesa të tjera historike.

Në deklaratën e UNESCO-s thuhet se “rreth 60 për qind e qytetit të vjetër të Alepos është dëmtuar seriozisht, ku 30 përqind janë shkatërruar plotësisht”.

Delegatët e UNESCO-s u takuan me përfaqësuesit e autoriteteve të qytetit dhe organizatave joqeveritare dhe sugjeruan që pjesa antike e qytetit të shpallet “zonë e emergjencës”, transmeton atsh.

Dhjetorin e kaluar, forcat e regjimit të presidentit Bashar Al-Assad pushtuan Alepon duke i dhënë fund rrethimit katërvjeçar të pjesëve të qytetit më të madh dhe më të rëndësishëm në Siri, që ishin nën kontrollin e forcave opozitare.