Unë, Presidentja e Parë

Presidentja Atifete Jahjaga mbajti një fjalim në forumin TEDxAmsterdamWoman. Ajo rrëfeu historinë e Kosovës dhe rolin e gruas kosovare, në periudhën para dhe pas luftës. Rrugëtimi i saj, në një fjalim të shkurtër.

Lajme

06/12/2013 16:24

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Holandë, ka qenë prezente në forumin TEDxAmsterdamWoman – ku mbajti një fjalim mbresëlënës.

Në fjalimin e saj, Presidentja Jahjaga rrëfeu historinë e Kosovës, veçmas të rolit të gruas gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Jahjaga nisi fjalimin e saj, duke filluar nga vitet 90’të, kur Europa pa rënien e Murit të Berlinit.

E në të njëjtën periudhë, po në këtë regjion, në Europën Juglindore, popujt po shtypeshin nga regjimet, e veçmas populli shqiptar po përjetonte vitet e saj më të rënda, po jetonte nën regjimin e Milosheviqit.

“Në këto vite të vështira burrave dhe grave të Kosovës iu mohua e drejta për të punuar për shkak të përkatësisë së tyre etnike”.

Jahjaga u tregoi të pranishmëve se përderisa disa gazetarë të huaj kishin vizituar një shtëpi në Kosovë, ata nuk kishin gjetur të zonjën e shtëpisë. Ajo ishte fshehur në dollap, për shkak se jetonte në kushte të mjerueshme. Asaj, sipas Jahjagës, kushtet e mjerueshme i kishin vjedhur krenarinë.

“Varfëria dhe kushtet e mjerueshme në të cilat jetonte kjo familje, kishin vjedhur krenarinë e saj. Ne shquhemi si popull fisnik dhe krenar. Por në kohëra si këto, ne e gjetëm veten të zhveshur nga identiteti ynë, ne u ndjemë të huaj në lëkurën tonë”.

Presidentja më pas tregoi për rolin e gruas gjatë luftës duke përmendur edhe marshin e tyre me bukë në dorë, për të ja u dërguar njerëzve që ishin në rrethim.

 

Rrëfimi i Jahjagës vazhdon me inkuadrimin e saj në Policinë e Kosovës – dhe me respektin që ajo kishte vërejtur, që ju bëhej nga qytetarët e Kosovës, kur shihnin se kishte police femra.

“Ne, gratë police, arritëm ta bënim Policinë e Kosovës një ndër institucionet më të besueshëm në vend, me numrin më të lartë të grave në shërbim”.

“Ndjehem e privilegjuar dhe krenare që isha pjesë e këtij misioni, mision i cili më udhëheq çdo ditë. Misioni për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tim, për t’ju ofruar atyre mundësi për të jetuar në paqe”.

Ndërsa për detyrën që tashmë ka, Jahjaga thotë se e mban me një përgjegjësi të madhe, sepse duke qenë grua, duhet të inkurajojë femrat që të jenë sa më shumë në vendimmarrje.

“Gratë janë shtylla të familjes dhe progresi i shoqërisë lidhet në mënyrë direkte me emancipimin e saj. Ta pranojmë diversitetin si vlerë që na bashkon, që pasuron shoqëritë tona dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë mbi të”.

“Unë jam krenare që jam Presidentja e parë femër në Ballkan, Presidentja e parë grua e Kosovës”.

“Në këtë rol përpos obligimeve të përditshme si Presidente në shërbim të qytetarëve të mi, mbetem e përkushtuar t’i inspiroj dhe motivoj gjeneratat e reja të vajzave që të luajnë rol aktiv në çdo sferë të jetës. Është diçka që na vjen natyrshëm”, ka thënë Presidentja Jahjaga.