Ultrasi i Napolit vendosi për zhvillimin e finales

E pabesueshme, por e vërtetë. Një prej udhëheqësve të tifozëve të Napolit, vendosi për zhvillimin e ndeshjes finale të Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, në stadiumin Olimpico të Romës.

Sport

04/05/2014 01:33

Quhet Gennaro, dhe është udhëheqës i tribunës A në San Paolo të Napolit, tifozi që bisedoi me kapitenin Marek Hamsik dhe zyrtarë të ndeshjes finale të Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, në stadiumin Olimpik të Romës.

I shoqëruar nga dy udhëheqës të tjerë të grupit të tifozëve të Napolit që mbushën sektorin e caktuar për ta në Olimpico, Gennaro fillimisht dukej kundër zhvillimit të ndeshjes për shkak të përleshjeve të përgjakshme që ndodhën jashtë stadiumit – por me tifozët e nikoqirit të finales, Romës – para se të bënte me shenjë për qetësi në tribunën e Napolit, pas hedhjes së disa fishekzjarrëve në drejtim të kujdestarëve.

Pastaj, ai bisedoi me kapitenin e Napolit, Hamsik dhe i tha atij që të dalin dhe të luajnë.

Në fund, u dha njoftimi se ndeshja do të zhvillohet, edhe pse me 45 minuta vonesë.

Në Itali funksionon kështu.