Ultimatumi i Thaçit për Ligjin e Veteranëve të Luftës

Kryeministri Thaçi ka thënë se Ligji për Veteranët nuk ka arsye për tu shtyrë. Ai tërheq vërejtjen se do të thërras mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për këtë çështje. Premtoi se Ligji për FAK do të miratohet gjatë këtij mandati.

Lajme

30/03/2014 11:58

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse nesër Kryesia e Kuvendit, nuk vendosë për Ligjin e Veteranëve të UÇK-së si rend dite për seancën e ardhshme, atëherë ai do të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për këtë çështje.

Thaçi tha sot se nuk ka arsye që ky ligj të vonohet dhe se veteranët janë të të gjitha partive politike.

“Unë dua të shpresoj dhe besoj fuqishëm se Ligji për Veteranët e UÇK-së, do hyjë në rend dite, pasi që nuk ka asnjë arsye më të voglën për tu shtyrë këtë çështje” .

“Në rast se nuk futet në rend të ditë nesër, do të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, dhe të kërkoj që ky ligj të kalon sa më shpejtë që është mundur”, ka thënë Thaçi, pas vizitës që i bëri kompanisë “Scard”, në Prishtinë.

I pyetur se ata do jenë pjesë e këtij ligji edhe amendamentet e LDK-së, Thaçi ka thënë se veteranët janë të të gjitha partive politike dhe do të njihet kontributi i gjithë secilit.

“Historia nuk shkruhet me ligje por, me realitet. Ligji përshkruan realitetit e luftës së UÇK-së, dhe jo historikun e partive politike”.

Thaçi është shprehur i bindur se Ligji për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, do të miratohet gjatë këtij mandati.

“Nuk ka asnjë arsye për ty shtyrë. Tani presim edhe aprovimin nga Gjykata Kushtetuese,  të gjërave që ne i kemi kërkuar si sqarim dhe Kuvendi i Kosovës do ta aprovojë nevojën,  angazhimin dhe kërkesat tona për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës”.

Ndërkaq sa i përket takimit të nesërm në Bruksel, Thaçi ka thënë se nga ky takim pritet përmbyllja e marrëveshjes për sistemin dhe funksionalizimin e sistemi të drejtësisë në veri.