Ulqinakët kërkojnë pensionet nga Kosova

Rreth 50 pensionistë të Kosovës, shtetas të Malit të Zi, ish- të punësuar në ndërmarrjet e Kosovës në kohën e shtetit të përbashkët jugosllavë, i kanë kërkuar kryeministrit, Hashim Thaçi që të finalizojë marrëveshjen me Malin e Zi lidhur me njohjen reciproke të stazhit të punës. 

Lajme

28/05/2014 12:14

Sipas pensionistëve kosovarë, Mali i Zi i ka përfunduar të gjitha veprimet juridike edhe pret Prishtinën që të bëjë të njëjtën gjë.

Sipas një komunikate për media, marrëveshja midis dy ministrive të punës dhe mirëqenies sociale është nënshkruar që më 17 dhjetor 2013 nga dy ministrat e të dy vendeve fqinje, Predrag Boshkoviq dhe Sllobodan Rashiq.

 Kurse, pas këtij akti, përfaqësuesit e ministrisë malazeze të punës dhe mirëqenies sociale publikisht kanë deklaruar se funksionimi i kësaj marrëveshje do të nis që në janar 2014,por kjo nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite.

“Theksojmë se pala malazeze, sa herë i jemi drejtuar, apo e kemi vizituar në Podgoricë, na kanë pritur ose na janë përgjigjur institucionalisht me shkrim, në e-mail, apo me postë klasike. Kjo nuk ka ndodhur me palën kosovare”, thuhet në komunikatë, raporton KosovaPress.

“Apelojmë te kryeministri aktual, Hashim Thaçi që të na ndihmojmë, sepse tash 15 vjet presim të realizojmë të drejtat e pensionit për dekadat e punës në Kosovë. E kemi të qartë se nëse ndodh ndonjëherë me stazhin në Kosovë edhe atë që kemi në Malin e Zi, pensionet tona nuk do të mjaftojnë as për një bukë në ditë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.