Ulja e TVSH-së nuk do të sjell ndryshim të madh për disa shërbime e produkte

Ulja e TVSH-së nga 16 në 8 për qind për energjinë elektrike, ujin, kanalizimin dhe mbeturinat do të reflektohet direkt në faturat që i paguajnë qytetarët për këto shërbime, të cilat vazhdojnë të jenë në treg të rregulluar.

Lajme

23/03/2015 08:07

Rritja e vazhdueshme e çmimit të këtyre produkteve dhe shërbimeve ndër vite do të bëjë që faturat që qytetarët do të paguajnë për këto produkte e shërbime të mos kenë ndonjë ndryshim të madh.

Ulja e faturës së rrymës dhe ujit për 8 për qind do të neutralizojë vetëm shtrenjtimin e këtyre dy produkteve që kanë ndodhur vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Çmimi i energjisë elektrike vitin e kaluar është shtrenjtuar për 10 për qind.

Edhe ulja e çmimit të ujit do të jetë simbolike krahasuar me shtrenjtimin që ka ndodhur ndër vite. Që nga viti 2012 deri në vitin 2014 çmimi i ujit është shtrenjtuar për 21 për qind.

Shtrenjtimi i ujit ka vazhduar edhe në vitin 2015. Kështu, ky lirim i çmimit të ujit nuk do të ndikojë që të rikthehet çmimi që kishte qenë në vitin paraprak.

Qeveria e Kosovës e ka iniciuar draftin e projektligjit të TVSH-së, i cili për herë të parë parasheh që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar- TVSH të jetë i shkallëzuar.

Me gjithë uljen e vlerës së TVSH-së, shteti nuk mund të garantojë se çmimi i bukës apo vajit dhe produkteve tjera do të ulet për 8 për qind, pasi ato i nënshtrohen tregut të lirë.