Ulëset e “ëmbla” të nëkryetarëve të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës vazhdon të punojë me rregulloren e vjetër, ndonëse çdo legjislaturë ka për obligim miratimin e rregullores së re të punës së Kuvendit. Madje, me të njëjtën rregullore kishte punuar edhe legjislatura e kaluar. Opozita thotë se miratimin e rregullores së re të Kuvendit e kanë penguar individë në kryesi për shkaqe personale, meqë ajo zvogëlonte rolin e nënkryetarëve të Kuvendit.

Lajme

17/05/2015 12:30

Me rregulloren e re të Kuvendit ishte paraparë konferenca e kryetarëve e cila do të përbëhej nga shefat e grupeve parlamentare, e që do të zbehte rolin e nënkryetarëve. Po ashtu, rregullorja parashihte që partia të cilës i takon kryetari dhe një nënkryetar, atëherë patjetër nënkryetariduhet të jetë nga gjinia e kundërt e kryetarit.

Anëtarja e nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore Albulena Haxhiu, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Legjislacion, thotë për KosovaPress, se pikërisht ka qenë zvogëlimi i rolit të nënkryetarëve shkaku që Kuvendi tërë legjislaturën e kaluar ka punuar pa rregullore të re të punës.

Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi, i cili ka qenë anëtar i nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore, thotë për KosovaPress se për shkak se ua cenonte interesat disa nënkryetarëve, rregullorja e re e hartuar në legjislaturën e kaluar nuk u miratua në seancë plenare në lexim të dytë.

Mos miratimi i rregullores së re të Kuvendit ka ardhur si pasojë e abuzimit të shumicës mbi brishtësinë e rregullores së vjetër, thotë Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.

Kryetari i nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore Armend Zemaj thekson për KosovaPress, se ka mohuar se rregullorja të jetë penguar për shkak të zbehjes së rolit të nënkryetarëve.

Përpos Maqedonisë dhe Hungarisë, asnjë vend tjetër nuk ka ligj për Kuvendin. Ndërsa, Kosova ka iniciuar hartimin e ligjit për Kuvendin në kuadër të binjakëzimit me Kuvendin e Hungarisë, i cili e ka ligjin për Kuvendin. /Kosovapress/