Ukraina tërhiqet nga Krimea

Ukraina sonte bëri të ditur planet për tërheqjen e trupave nga Krimea pasi ushtarë të maskuar rusisht-folës, të mbështetur nga vullnetarë të paarmatosur morën kontrollin në bazën e saj detare në portin e Sevastopolit në Detin e Zi.

Bota

19/03/2014 18:30

Ukraina sonte bëri të ditur planet për tërheqjen e trupave nga Krimea pasi ushtarë të maskuar rusisht-folës, të mbështetur nga vullnetarë të paarmatosur morën kontrollin në bazën e saj detare në portin e Sevastopolit në Detin e Zi.

Disa qindra të ashtuquajtur ushtarë të vetëmbrojtjes së Krimesë, kryesisht të paarmatosur, hoqën portën hyrëse të bazës krahas trupave të armatosur dhe hynë në ndërtesat e shtabit ku ngritën flamurin rus.

Pak kohë pas incidentit, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Ihor Tenyukh, tha në Kiev se forcat e vendit të tij nuk do të tërhiqen nga Krimea, përkundër nënshkrimit të traktatit nga ana e Vladimir Putin për aneksimin e këtij rajoni.

Por një orë më vonë, ushtarët ukrainas, të paarmatosur dhe në rroba civile, filluan të dalin jashtë shtabit.

Në mbrëmje Ukraina shpalli planin e vet të tërheqjes nga Krimea, raportojnë mediat e huaja.

Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare tha të mërkurën se Ukraina do të kërkojë nga OKB mbështetje që Krimea të kthehet në zonë të demilitarizuar përderisa kërkoi rivendosjen e trupave në rajon.

Ndërkohë Presidenti i përkohshëm ka kërkuar nga liderët e Krimesë që ta lirojnë komandantit e bazës detare brenda tri orëve ose të përballen me “një përgjigje adekuate”.

Zyra e Prokurorit të Ukrainës ka thënë më herët se komandanti i bazës detare është arrestuar nën akuzat se “ka urdhëruar njësitet ushtarake ukrainase… të hapin zjarr ndaj civilëve paqësorë”.