Ukraina refuzon ndihmat nga agresori

Kamionët rusë me siç thuhet 'ndihma humanitare', kanë filluar ditën e dytë të udhëtimit të tyre, duke u drejtuar drejt jugut të Ukrainës, ndërkohë që autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë hyrjen e tyre në Ukrainë.   

Bota

13/08/2014 14:19

Karavani me gati 300 automjete u ndal gjatë natës në qytetin jugor të Voronezh-it, dhe do të përshkojë rrugën deri në kufi, të mërkurën gjatë mbrëmjes.

E pa sigurt është ende mënyra se si do të dorëzohen ndihmat, ngase ende ekziston frika se Rusia mund t’i përdorë ndihmat si një pretekst për veprime ushtarake në Ukrainë.

Ministri i brendshëm ukrainas tha të mërkurën se ndihmat nuk do t’i lejojë të hyjnë në vend.

“Provokimet nga një agresor cinik nuk janë të lejuara në territorin tonë”, tha ministri Arsen Avakov, në faqen e tij në Facebook.

Të paktën 1500 vetë kanë vdekur nga mesi i prillit, kur Ukraina dërgoi trupa kundër rebelëve pro-rusë në rajonet e Donetsk-it dhe Luhansk-it, të cilat duan ta ndjekin rrugën e Krimesë.

Luftimet e deritashme në rajonet e Ukrainës kanë zhvendosur pothuajse 300 mijë persona, shumë nga të cilët kanë ikur në Rusi.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, do të pritet të mërkurën në Krime, në një takim me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të kësaj Republike.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në mars, një veprim i cili shkaktoi raundin e parë të sanksioneve perëndimore kundër Moskës.

Kamionët, sipas mediave shtetërore ruse, mbajnë rreth 2 mijë tonë ndihma, të cilët u larguan nga Moska mëngjesin e së martës, thonë media dhe zyrtarë rus.

Televizionet ruse tregojnë se brenda këtyre kamionëve ka ndihma të ndryshme, përfshirë grurin, ushqime për fëmijë e medikamente, të cilat do të shkojnë për civilët e bllokuar nga luftimet në zonën e mbajtur nga rebelët pro-rusë.