Ukraina është ende larg paqes

Në rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë vazhduar edhe të premten luftimet mes seperatistëve prorusë dhe forcave qeveritare ukrainase, ndonëse sipas raportimeve, janë me pak intensive se sa ditëve të kaluara.

Bota

13/02/2015 13:19

Një ditë më parë, në Minsk, u nënshkrua marrëveshja për armëpushim në Ukrainë, që do të hyjë në fuqi të shtunën në mesnatë, dhe nëse marrëveshja nuk respektohet, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë, që akuzohet për nxitje dhe mbështetje direkte të konfliktit në Ukrainë.

Të premten në mëngjes, një zëdhënës ushtarak në Kiev, tha se tetë anëtarë të ushtrisë së Ukrainës janë vrarë në luftën kundër separatistëve në 24 orët e fundit. Rebelët prorusë nga ana e tyre njoftuan se shtatë civilë kanë humbur jetën nga sulmet e ushtrisë ukrainase.

Po ashtu, si pasojë e sulmit me granatë në një kafe në qytezën Shchastya, janë vrarë dy civilë dhe janë lënduar rreth dhjetë të tjerë, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë të premten se vendi ka ende rrugë të gjatë për të bërë drejt paqes, dhe nuk ka garanci që marrëveshja e arritur për armëpushim do të ketë efekt.

“Nuk dua që dikush të ketë iluzione dhe unë të dukem si person naiv, por më duhet të them se jemi ende shumë larg paqes”, ka thënë Poroshenko gjatë një vizite në një zonë të trajnimit ushtarak.