Ukraina e dëshiron BE’në

Në samitin e Vlinius’it, Presidenti Viktor Yanukovych, ka thënë se Ukraina ende dëshiron që të nënshkruajë marrëveshje me BE’në.

Bota

30/11/2013 10:17

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka thënë se shteti i tij dëshiron që të nënshkruajë marrëveshje me Bashkimin Europian, por kjo marrëveshje, sipas tij, do të bëhet “në një të ardhme të afërt”.

Gjatë samitit për Partneritet Lindor të BE’së në Vlinius të Lituanisë, ku merrte pjesë edhe Yanukovych, ai ka thënë se shteti i tij ka synim që të nënshkruajë marrëveshje me BE’në.

“Konfirmoj synimin e Ukrainës për nënshkrimin e Marrëveshjes së asociimit në të ardhmen e afërt”, thuhet në një deklaratë të Presidencës.

Këto deklarata, ai i tha në fund të këtij samiti, ku BE’ja shprehi përkushtimin e saj për të krijuar marrëdhënie më të afërta me Ukrainën.

Presidenti i Komisionit Europain, Jose Manuel Barroso, tha se ukrainasit tashmë ndihen europianë.

“Ne e dimë se sa shumë ndihet europian populli i Ukrainës, sa shumë ata kujdesen për Europën, sa shumë ata aspirojnë të njihen si pjesëtarë të komunitetit demokratik të kombeve në Europë. Kuptohet, ne tash do t’i vazhdojmë diskutimet tona me partnerët ukrainas, duke e ditur mirë se ne gjithnjë do t’i respektojmë vendimet sovrane të Ukrainës, tha Barroso.

Ai akuzoi Rusinë për presionin politik dhe ekonomik që po i bën Ukrainës, në mënyrë që kjo e fundit të mos nënshkruajë marrëveshjen për tregti të lirë me BE’në.

“Më lejoni të jem i qartë: ky është proces për diçka, ky nuk është proces kundër askujt. Ky është proces për demokraci, për stabilitet, për prosperitet. Ai nuk është kundër dikujt, pasi nuk besoj se dikush duhet të jetë kundër demokracisë, kundër stabilitetit ose kundër prosperitetit”, tha Barroso.

Në programin Partneriteti Lindor të  Bashkimit Europian, janë të përfshira gjashtë ish-republikat sovjetike, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.