Ukraina çliron tri qytete në rajonin e Donjeckut

Forcat ukrainase kanë çliruar tri qytete në rajonin e Donjeckut, në lindje të vendit, njoftoi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje. Bëhet fjalë për qytetet  Rubezhnoje, Soledar dhe Xherzhinsk, ku menjëherë janë vendosur flamujt ukrainas

Bota

21/07/2014 22:00

Pas hyrjes në këto tri qytete, ushtria ukrainase është duke kërkuar pjesëtarët e milicive lokale pro-ruse, transmeton agjencia Itar tass.

Ai ka shtuar se ushtria ukrainase ka arrestuar një numër të madh të pjesëtarëve të të ashtuquajturës vetëmbrojtje lokale dhe ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të armëve dhe municioneve.

Ushtria ukrainase ka sulmuar nga ajri edhe ndërtesën e qeverisë regjionale në qendër të qytetit Lluhansk , gjë që ka bërë që vëzhguesit e OSBE-së të largohen nga qyteti, pasi ishin të vendosur në një hotel në afërsi të ndërtesës së bombarduar.

Ministri i Financave Oleksandar Shllapak ka deklaruar sot se aksioni ushtarak kundër forcave pro-ruse i kushton Kievit mbi 130 milionë dollarë në muaj dhe se Kievit i nevojiten mjete shtesë për të mbuluar shpenzimet në rritje.

“Na nevojiten mjete shtesë për këtë operacion”, ka thënë ai para liderëve të parlamentit ukrainas.