Ukraina akuzon kryengritësit për lëvizje të tankeve

Autoritetet e Ukrainës i kanë akuzuar separatistët e mbështetur nga Rusia për lëvizje të luftëtarëve dhe tankeve më afër linjës së kontaktit me forcat qeveritare në pjesën lindore të këtij vendi.

Bota

23/03/2015 19:26

Në deklaratën e sotme, këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Zoryan Shkiryak tha se 10-12 tanke gjatë natës kanë arritur në qytetin Horlivka, që është nën kontroll të separatistëve, e që gjendet afër linjës së frontit, raporton REL.

“Armiku ka vazhduar t’i përqendrojë forcat e veta në hapësirat e okupuara në Donjeck dhe Luhansk”, tha Skiryak, duke iu referuar dy rajoneve që janë nën kontroll të separatistëve pro-rusë.

Njëherësh, ushtria e Ukrainës tha se 6 ushtarë qeveritarë ishin plagosur në 24 orët e fundit, përkundër armëpushimit të nënshkruar në Minsk, muajin e kaluar.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, janë vrarë më se 6 mijë njerëz.