Uk Lushi fton Nishanin e Ramën të ndërmjetësojnë në Kosovë

Veprimtari shqiptar në Amerikë, Uk Lushi thotë se Kosova ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë në zgjidhjen e ngërçit politik, i cili, sipas tij, po merr përmasa të rrezikshme

Lajme

01/10/2014 22:42

Lushi propozon që me këtë çështje të merren Bujar Nishani dhe Edi Rama.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar:.

“Kriza politike në Republikën e Kosovës është duke marrë përmasa të rrezikshme. I thërras Presidentin e Republikë së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, dhe Kryeministrin, z. Edi Rama, të ofrojnë ndihmën e tyre në uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Duke qenë nga krahë të ndryshëm partiakë dhe duke pas lidhje politike dhe miqësore me liderët e partive në Republikën e Kosovës, dy udhëheqësit kryesorë nga Tirana mund të ndihmojnë Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, dhe partitë në Kosovë. Humbjet e ngërçit politik në Prishtinë tashmë janë tepër të mëdha dhe si popull nuk guxojmë të lejojmë që Republika e Kosovës të rrëshqet në ambis (humnerë) politiko-ekonomik”, ka shkruar Lushi.