Ujkani: MSA nuk është temë diskutimi në BE

Nënshkrimi i MSA-së për Kosovën nuk është në agjendën e BE-së, thotë Emrush Ujkani. Sipas tij nënshkrimi kësaj marrëveshje nuk mund të bëhet gjatë muajit korrik.

Lajme

18/07/2014 12:18

Kosova nuk do të mund ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në fund të muajit korrik, pavarësisht njoftimit nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj se do të bëhet një gjë e tillë.

Kështu ka thënë njohësi i proceseve europiane, Emrush Ujkani, ndërsa bën të ditur se një gjë e tillë nuk është temë diskutimi as në Kosovë e as në Bashkimin Evropian.

Ujkani për Epokën e Re, ka thënë se nëse MSA nënshkruhet në vjeshtë do të ishte optimale.

“Nuk do të mund të ndodhë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri në fund të korrikut për arsye se kjo nuk është temë e diskutimit, as e diskursit politik në Kosovë, as brenda Bashkimit Evropian. Prandaj, nënshkrimi i saj do të mund të ndodhë vetëm nëse do të kemi konstituim të institucioneve tona të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit”, ka thënë Ujkani .

“Kushti i parë që duhet të plotësohet është të formohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit dhe kjo do të ndodhë gjithsesi. Dhe e dyta, përderisa Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar rreth një diçkaje të tillë, mendoj se ka ende shumë gjëra për t’u kryer në praktikë. Prandaj, konsideroj se ende nuk janë pjekur kushtet për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Pra, nënshkrimi i MSA-së, po të ndodhte dikur në vjeshtë, kah shtatori ose tetori, do të ishte diçka optimale”, ka deklaruar Ujkani.