Ujkani: Ky popull ka kaluar nëpër shumë sakrifica, ia kemi borxh fitoren

Samir Ujkani ka thënë se është ndjenjë e mirë që janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë – Ishujt Faroe.

Sport

09/09/2018 23:22

Kombëtarja e Kosovës të hënën takohet me Ishujt Faroe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kapiteni i Kosovës është paraqitur në konferencë për shtyp me trajnerin Bernard Challandes në prag të kësaj sfide.

“Ishte një ndjenjë e mirë kur dëgjuam se tashmë janë shitur të gjitha biletat për pak orë, kjo na gëzon, por  dhe na vë në presion”, ka deklaruar Ujkani.

“Unë besoj që do t’i gëzojmë adhuruesit dhe popullin e Kosovës. Ky vend ka kaluar nëpër shumë sakrifica e mundime të mëdha ndaj e kemi borxh të angazhohemi e të japim kontributin drejt fitores”.

“Jemi ndeshur me Ishujt Faroe para dy viteve në ndeshje miqësore por tash është ndryshe po takohemi në ndeshje kualifikuese, ndaj edhe duhet tjetër angazhim”./Lajmi.net/