Uji i qytetarëve dhe zjarri politik

Zyrtarët zgjedhen, me votën e qytetarëve të Kosovës, për t’i zgjidhë telashet e qytetarëve, e jo për t’i prodhuar ato.

Opinion

05/02/2014 10:55

15 vjet pas përfundimit të luftës, 6 vjet pas shpalljes së shtetit, qytetarët e Kosovës nuk kanë rrymë dhe ujë të bollshëm, nuk kanë kanalizim funksional. Nuk kanë, pra, kushte elementare për një jetë normale.

Duam të bëhemi Evropë, me të gjithat. Por, pa i përmbushur këto kritere themelore për jetë evropiane, nuk kemi çfarë të kërkojmë askund. Apo jo.

Llogaria për t’i bërë punët e duhura, për të pasur rrymë, ujë dhe kanalizim për decenie me radhë, është e madhe, madje e papërballueshme për këto kalkulimet tona të sotme financiare dhe buxhetore. Duhet së paku katër miliardë Euro për ta rehatuar Kosovën në këto temat bazike për tridhjetë-katërdhjetë vjetët e ardhshme. Të kuptohemi, nuk mund të flitet dot për qëndrueshmëri afatgjatë të shtetit të Kosovës, për një siguri të mirëfilltë, sepse, uji, rryma dhe kanalizimi gjithsesi bëjnë pjesë në veçoritë kyçe të një stabiliteti të njëmendtë të një shteti, pa pasur në çdo metër katror të Republikës së Kosovës shërbim të plotë me ujë, rrymë, kanalizim.

Rëndom, ndër ne, debati për këto çështje ndodh vetëm gjatë fushatës parazgjedhore, kur marrin dhenë premtimet e çdollojshme për sendërtimin e nevojave elementare të qytetarëve të Kosovës. Më pas, të thuash gjithçka harrohet.

Jemi mjeshtër në humbjen e kohës sonë për temat që në kontinuitet shquajnë gatishmërinë tonë për t’u marrë me historinë ditë e natë, me të bëmat dhe të pabëmat tona njëzet a tridhjetë a njëqind vjet më parë, ndërsa politika bën fjalë për gjërat që duhet të ndodhin në njëzet a tridhjetë a njëqind muajt e ardhshëm, për ta bërë jetën më të mirë për një shoqëri, për një popull, për një vend.

Politika e mençur dhe Qeveritë e afta, i bëjnë, në fakt, llogaritë për tridhjetë vjet së paku. Politikat e tjera, ato që janë në fuqi në Kosovë, njohin si kategori vendimtare ciklet zgjedhore.

Të humbur në histori, deri para njëqind vjetëve si komb i tërë, e deri para një çerek shekulli si shqiptarë të Kosovës, ende të bindur që jemi komb i veçantë në mes të Ballkanit dhe të Evropës, vazhdojmë ta shkruajmë dhe ta-rishkruajmë historinë tonë tre mijë vjeçare  (a më të gjatë), ndërsa zakonisht nuk dimë çka do të bëjmë në tri ditët e ardhshme me vetveten.

Jemi të vetë-prangosur në histori.

Episodi më i ri i këtij diskursi na u shfaq në ditët e fundit, kur sërish morëm vesh që Prishtina dhe kjo pjesë e Kosovës ka ujë edhe për katër muaj, nëse në ndërkohë nuk do të ketë reshje të mëdha të shiut dhe borës, të cilat, përndryshe, do të na bëjnë me ujë, po që se kemi fat, por edhe me përmbysje për shkak të rrjetit të stërvjetëruar të kanalizimit.

Nisi komunikimi me letra dhe me akuza në trekëndëshin Udhëheqësia e re e Prishtinës, Qeveria e Kosovës, ish-lidershipi i kryeqytetit të Kosovës.

Kërkimi i fajit dhe i fajtorit për një të keqe të madhe që mund t’i ngjajë Prishtinës, zëvendësoi atë kërkimin e domosdoshëm, në këto raste, të zgjidhjes për një problem që mund të mbërrijë tok me ardhjen e pranverës.

Thuhet në politikë që kur një anije nisë të fundoset, detyra e parë dhe e vetme është shpëtimi i saj, e pastaj mund të gjendet dhe të ndëshkohet përgjegjësi.

Po çfarë do të mund të bëhej, apo si do të duhej të silleshin zyrtarët lokalë dhe qendrorë të Kosovës në këtë përballje që duket se është e pashmangshme?

Para së gjithash, do të duhej t’i harronin letrat si mënyrë e komunikimit publik. Nuk zgjidhet dot tema e ujit me Letra publike, të kujdoqofshin ato.

Mënyra e vetme e trajtimit të kësaj çështjeje është takimi i drejtpërdrejtë midis hisenikëve në zgjidhjen eventuale të këtij problemi. Kryetari i Komunës duhet të bisedojë pra me Kryeministrin e Kosovës, një herë vetëm, e pastaj, edhe në praninë e përgjegjësve për furnizim me ujë në nivel të rajonit, edhe të vendit. Nuk ka gjë të keqe nëse një Mbledhje e Qeverisë së Kosovës do t’i kushtohej kësaj teme, në praninë e Kryetarit të Prishtinës.

Zyrtarët zgjedhen, me votën e qytetarëve të Kosovës, për t’i zgjidhë telashet e qytetarëve, e jo për t’i prodhuar ato.

Bashkëpunimi midis tyre është detyrim dhe jo dëshirë.

Ky natyrisht do të duhej të ishte reagimi emergjent në tejkalimin e krizës së ujit. Pastaj, po që se do të nxjerrim mësimet e duhura, do të duhej të trajtonim sigurimin e furnizimit me ujë për katërdhjetë vjetët e ardhshme. E jo deri në dimrin tjetër të thatë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)