Ujësjellësi Prishtina ankohet për dëmin e shkaktuar nga falja e borxheve

Konsumatorët i kanë borxh ujësjellësit rajonal “Prishtina” gjithsej 33 milionë e 140 mijë euro.

Lajme

16/03/2015 18:59

Ligji për faljen e borxheve nga ana e Qeverisë prej vitit 1999 deri në fund të vitit 2008, sigurisht që nuk mund të kalojë edhe pa dëme. Vetëm Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” deri në fund të vitit 2008 konsumatorët i kanë borxh 33 milionë e 140 mijë euro.

Por, nga ky vendim i Qeverisë, kjo kompani llogaritet të ketë dëme të konsiderueshme, vlera e së cilës kalon shumën prej 22 milionë eurove.

Drejtori ekzekutiv i këtij ujësjellësi, Gjelosh Vataj tha për KosovaPress se këtu llogaritet edhe një kredi në vlerë prej 20 milionë eurove që e kanë marrë për ndërtimin e një fabrike të re të ujit, duke thënë se ata kanë menduar që kthimi i kësaj kredie të lidhet direkt me borxhet e vjetra.

Po ashtu, sipas tij, ata kanë një marrëveshje me konsumatorët për riprogramim të borxheve, që arrin vlerën 2 milionë euro dhe me këtë vendim ata do t’i humbin edhe këto para.

Por, kjo kompani përveç dëmeve nga falja e borxheve të vjetra tash ka filluar të ketë dëme edhe në arëktim të mjeteve për shpenzimin vijues të ujit nga ana e konsumatorëve.

Sipas Vatajt, nga deklarimi i Qeverisë se do të falen borxhet është krijuar një amulli e madhe dhe kjo ka bërë që të ketë ndikim direkt të rënies së arëktimit. Kjo për shkak se, sipas tij, konsumatorët të cilët kanë borxhe të mëdha nuk po i lejojnë shkyçjet, ndërsa ata të cilët kanë qenë konsumator të rregullt po hezitojnë ta paguajnë borxhin e tanishëm.

Ai thotë se ende nuk ka ndonjë vendim të qartë nga ana e Qeverisë dhe, sipas tij, përderisa nuk do të ketë një vendim të tillë URP nuk do të ndalet së kërkuari borxhet nga konsumatorët.

Ndërkaq, sa i përket ndërtimit të fabrikës së re të ujit në Shkabaj, Vataj tha se ndërtimi është duke shkuar sipas planit dhe ajo pritet të përfundojë në verën e vitit të ardhshëm. Pasi të përfundojë kjo fabrikë, konsumatorët do të furnizohen me ujë 24 orë dhe, sipas Vatajt, është menduar që të lidhen me furnizim të ujitë të pijshëm edhe Fushë Kosova dhe Obiliqi.

/Kosovapress