Ujësjellësi dhe Komuna e Podujevës do t’ua zgjidhin problemin me ujë banorëve të Orllanit

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka bërë të ditur se problemi me ujë për banorët e Orllanit shumë shpejt do të zgjidhet.

Lajme

23/03/2017 13:19

“Në takim me z.Ilir Abdullahu –kryeshef Ekzekutiv i KUR “Prishtina” dhe z.Alan Broën- përfaqësues i Konzorciumit Dorsch/CDI, me të cilët bisedova për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Orllan me rrethinë”, ka thënë Veliu, transmeton lajmi.net.

Në takim ata janë dakorduar që KUR “Prishtina” të fillojë menjëherë me hartimin e projektit për ndërtimin e ujësjellësit, në mënyrë që të zgjidhet çështja e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e asaj zone.

“U zotova se për realizimin e këtij projekti të kushtueshëm, Komuna do të ndajë mjete me rishikimin e buxhetit në qershor të këtij viti dhe se do të angazhohem për gjetjen e formave të financimit edhe nga niveli qendror”, ka theksuar Veliu.

Ditë më parë banorët e këtij fshati kanë protestuar për mungesën e furnizimit me ujë./Lajmi.net/