Ujë 24 orë në shumicën e lagjeve të kryeqytetit

Edhe pse është ndërprerë rryma për disa çaste në fabrikën e ujit në Shkabaj, në qytetin e Prishtinës ka pasur ujë pa ndërprerë që nga orët e para të së martës, përveç në disa pika të larta të disa zonave të qytetit,

Lajme

28/03/2017 16:43

Kështu deklaroi për Klan Kosovën, zëdhënësja e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, Abërie Zogjani.

Sipas saj në orët e para të së martës ka shpërthyer një gyp i ujit në rrugën “Robert Doll” për shkak të shtypjes së lartë të ujit në këtë gyp, por që ky problem sipas saj është rregulluar tashmë.

Zogjani po ashtu njoftoi se në këtë fazë ka gjasa që qytetarët të kenë telashe me shpërthimin e gypave për shkak se janë të vjetëruar dhe se nuk janë mësuar me këtë presion të ujit në orët e mbrëmjes.

Me këtë rast, ajo kërkoi nga qytetarët që të lajmërojnë në ujësjellës për çfarëdo problemi që mund të kenë, pasi sipas saj, ekipet e kësaj kompanie do të jenë të gatshëm për intervenim deri në orët e para të mëngjesit.