Ujdia nuk ishte sulmi në Kumanovë, shërbimi sekret maqedonas e prishi planin

Incidenti i 9 majit në Kumanovë mes grupit të armatosur nga Kosova dhe policisë maqedonase nuk ka qenë sipas planit të ndodhë në lagjen e Trimave në Kumanovë por në Kriva Pallankë, shkruan Zhurnal.

Lajme

03/06/2015 16:55

Plani ka qenë i përgatitur në mënyrë të sofistikuar nga shërbimet sekrete maqedonase që grupi i kosovarëve të sulmojnë kazermën ushtarake në qytezën e Kriva Pallankës të Maqedonisë afërsi të kufirit me Bullgarinë, mëson jozyrtarisht Zhurnal.

Zhurnal mëson se udhëheqësia e grupit të Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me shërbimet sekrete maqedonase, ku nga këta të fundit vetëm është pritur sinjali që të sulmohet kazerma ushtarake, ku flitet se ka një sasi të madhe të armëve të ndryshme.

Jozyrtarisht plani ka qenë që kazerma të sigurohet vetëm nga katër roje ushtarake që grupi i armatosur do ti kishte eliminuar shumë lehtë dhe do të kishte marrë në dorë dhe kontroll të plotë armatimin dhe municionin e kazermës.

Qëllimi ka qenë që problem të bëhet edhe ndërkombëtar dhe të lidhet me “terrorizmin islamik” dhe organizatën ISIS në Irak dhe Siri, sepse një pjesë e madhe e armatimit nga kazerma ushtarake që do të ishte në duart e grupit të armatosur kinse do të kishte për destinacion final Lindjen e Afërt, merr vesh Zhurnal.

Grupit të armatosur i është premtuar nga shërbimi sekret se do ti merrte pa ndonjë problem stacionet e policisë dhe kazermën ushtarake në Kriva Pallankë. Pas kësaj, grupit të armatosur do ti hapej një korridor i posaçëm për t’u tërhequr nga Maqedonia, ndërsa policia maqedonase do të niste një aksion të zgjeruar nën arsyetimin se gjoja shteti është në prag të luftës nga grupe të armatosura, shkruan Zhurnal.

Mirëpo, ky skenar në moment të fundit ka dështuar sepse situata do të dilte nga kontrolli për shkak se në afërsi të kazermës është zona kufitare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë gjë e cila do të shkaktonte tensione të mëdha mes dy shteteve.