UEFA refuzon ankesën, Alonso mungon në finale

UEFA ka refuzuar ankesën e Real Madridit dhe mesfushori Xabi Alonso do të mungojë përfundimisht në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, më 24 maj në Lisbonë.

Sport

07/05/2014 20:33

Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso do të mungojë përfundimisht në finalen e Ligës së Kampionëve, kundër Atletico Madridit.

UEFA ka refuzuar ankesën e gjigantit nga Santiago Bernabeu për anulimin e kartonit të verdhë me të cilin u ndëshkua Alonso në fitoren 4:0 në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale kundër Bayern Munichut në Allianz Arena.

Andaj, Alonso nuk do të luajë kundër Atletico Madridit në finalen e madhe më 24 maj në Lisbonë.

Real Madrid vendosi të ankohej në UEFA, mirëpo komisioni disiplinor i Federatës evropiane të futbollit e konsideroi si të “pandryshueshëm”, vendimin që Alonso të jetë i suspenduar për një ndeshje, me këtë rast, finalen e Ligës së Kampionëve.