UEFA ndalon birrën në qytetin ku do të luajë Shqipëria

Ngjarjet e ditëve të kaluara në Marsejë kanë goditur më rëndë tifozerinë shqiptare, e cila do të jetë e shumtë në këtë qytet në dy ditët në vijim për shkak të takimit Francë-Shqipëri që luhet në “Velodrome”.

Sport

14/06/2016 13:57

Duke marrë shkas nga përplasjet mes tifozëve rusë dhe atyre anglezë, organizatorët kanë vendosur që në pjesën më të madhe të qytetit të ndalohet shitja e pijeve alkoolike.

Sipas njoftimit të publikuar është vendosur një ndalim i plotë i shitjes së alkoolit dhe mbajtjes për konsum në vende publike të tij në qendër të qytetit si dhe në të gjitha akset që lidhin qendrën me stadiumin “Velodrome”.

Vendimi për ndalimin e tregtimit dhe konsumimit të pijeve alkoolike në këto zona do të zgjatë deri në orën 6 të mëngjesit të së nesërmes së ndeshjes Francë-Shqipëri. Më parë, në Marsejë ishin vendosur ndalesa për konsumin dhe mbajtjen e alkoolit edhe pranë aeroportit dhe stacionit të trenave.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.