UEFA: Ja sa ekipe kosovare do të marrin pjesë në L.K dhe E.L

UEFA ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në edicionin e radhës së garave evropiane do të marrin pjesë dy klube nga Kosova, normalisht nëse ato i përmbushin kriteret elementare që i kërkojnë rregullat e shtëpisë së futbollit evropian.

Sport

02/12/2016 20:27

Kampioni i Kosovës do të luajë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, kurse fituesi i Kupës do të marrë pjesë në kualifikimet për Europa League.

Në fakt në edicionin e kaluar kampioni, Feronikeli, dhe fituesi i Kupës, Prishtina, kishin mundësinë për të dalë në Evropë, por e kishin humbur atë për shkak se nuk i kishin përmbushur kriteret për të garuar.

Kurse Hajvalia nuk e kishte fare këtë mundësi, pavarësisht pritjeve si rrjedhojë e paralajmërimeve të FFK-së se edhe nënkampionia do të ketë të drejtë garimi në Evropë.

Kështu sivjet Trepça ’89, Prishtina, Llapi e Feronikeli po luftojnë me të madhe për titull të kampionit, por vetëm njëra prej tyre do të dalë në Evropë, pra skuadra që shpallet kampione. Për nënkampionin e ri nuk ka shpresa. Të tjerat skuadra duhet ta kërkojnë Kupën për ta shijuar Evropën.

“Kampioni do ta nisë aventurën në garat evropiane nga rundi i parë, respektivisht në Ligën e Kampionëve. Ndërsa fituesi i Kupës do të nisë po ashtu nga rundi (rrethi) i parë në Europa League”, ka deklaruar UEFA për “Zërin”.

Skuadrat që fitojnë dy trofetë kryesorë në futbollin kosovar dhe kualifikohen në gara evropiane do të shpërblehen sërish nga UEFA.

Para pak kohësh UEFA shpërbleu kampionin e edicionit të kaluar, Feronikelin, me 220 mijë euro, kurse fituesen e Kupës, Prishtinën, e shpërbleu me 215 mijë euro. Këtu dy klube do të mundë të merrnin edhe mjete të tjera nga UEFA sikur t’i përmbushnin kriteret dhe të startonin në gara evropiane, në të cilat UEFA ndan para për çdo rreth garues, varësisht nga ecuria.

Disa klube kosovare kryesisht janë dhënë pas organizimeve të brendshme dhe përforcimeve për të fituar trofe në mënyrë që të kualifikohen në Evropë.

Por, kanë lënë anash përmbushjen e kritereve që kërkon UEFA. Kurse, Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të mos i obligojë që t’i përmbushin kritere, gjë që nuk e ka bërë as para anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Por, të pakta janë klubet që po mundohen të bëjnë gjëra të mira, pasi pjesa dërrmuese e tyre nuk po mund t’ia dalin pa para.

Kohëve të fundit janë shtuar rastet e bojkotimit të ushtrimeve, por edhe të ndeshjeve kampionale nga ana e futbollistëve, të cilëve po u vonohen rrogat me nga dy-tre muaj.

Ndërsa, ka klube që rrezikojnë edhe të shuhen shkaku i krizës ekonomike.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.