UEFA ‘godet’ PSG-n dhe Man City-n

Paris Saint-Germain dhe Manchester City do ta paguajnë shtrenjtë shkeljen e rregullave të Fair-Playt Financiar të UEFA-së. Të dyja klubet do të gjobiten dhe pësojnë kufizime në skuadra për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Sport

06/05/2014 14:18

Paris Saint-Germain dhe Manchester City përballen me gjoba prej rreth 60 milionë eurosh, dhe kufizime në skuadër për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve pas shkeljes së rregullave të Fair-Playt Financiar të UEFA-së, ka thënë një burim i afërt me procesin për agjencinë e lajmeve Reuters.

UEFA ka njoftuar javën e kaluar se nëntë klube përballen me ndëshkime sipas rregullave të reja të fuqizuara për të detyruar skuadrat që të kufizojnë humbjet financiare.

Konfirmimi i sanksioneve do të vjen deri në fund të kësaj jave. E përditshmja sportive franceze L’Equipe ka raportuar të martën se PSG do të gjobitet dhe kufizohet në numrin e futbollistëve për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve nga 25 në 21.

Fatura e pagave në klub po ashtu do të ketë një kufizim. Një vendim i ngjashëm pritet t’i jepet edhe Cityt, por klubi anglez do të ankohet ndaj sanksionit.

“PSG është më afër arritjes së një marrëveshjeje por mund të themi se City është duke rezistuar më shumë”, tha burimi i informuar me rastin.