UEFA “dridh” klubet kosovare që kurdisin ndeshje

Futbolli kosovar po vëzhgohet nga lart. UEFA ka konfirmuar për “Zërin” se është duke i vëzhguar shumë seriozisht Superligën dhe Ligën e Parë të Kosovës për të parë nëse po kurdisen ndeshjet kampionale.

Sport

14/03/2017 14:32

“Radari” i UEFA-s është i kthyer edhe kah gara e Kupës Shtetërore. Klubet të cilat zihen eventualisht duke kurdisur ndeshje do ta paguajnë shumë shtrenjtë faturën ndëshkuese evropiane. Situatën me kujdes të shtuar thotë se po e monitoron edhe Federata e Futbollit e Kosovës.

Dyshimet e forta për kurdisje të ndeshjeve kaherë e kanë përcjellë futbollin kosovar, sidomos gjatë sezoneve pranverore. Por vetëm në një rast Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) pati marrë masa ndëshkuese, shkruan sot gazeta Zëri. Mirëpo, tani kur Kosova është bërë anëtare e UEFA-s, kjo e fundit pret skuadra meritore në garat e saj evropiane e jo të ndyta me fenomenin e kurdisjeve, i cili luftohet rreptësishtë në tërë botën.

Andaj për klubet kosovare që kurdisin apo tentojnë të kurdisin ndeshje mëshirë më nuk do të ketë. Me masa të rrepta ndëshkuese do të merret vetë shtëpia e futbollit evropian. UEFA ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë është duke e monitoruar shumë seriozisht futbollin kosovar për të parë nëse ndonjë klub po kurdis ndeshje.

Në fakt, kompania e njohur “Sportradar” qysh moti është e kontaktuar nga UEFA-ja për t’i përcjellë dhe për t’i hulumtuar të gjitha kampionatet e vendeve anëtare të saj. Ndërsa, pasi UEFA e ka njohur Kosovën, “Sportradar” sytë i ka kthyer edhe kah futbolli kosovar njësoj sikurse në të gjitha vendet tjera anëtare të UEFA-s. Këtë e ka konfirmuar vetë shtëpia e futbollit evropian. “Iniciativat kundër ndeshjeve të kurdisura u referohen të gjithë anëtarëve të UEFA-s.

UEFA, në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare ‘Sportradar’, vepron përmes një sistemi të zbulimit të basteve (BFDS), i cili monitoron dhe analizon aktivitetet e 32,000 ndeshjeve në Evropë çdo vit”, ka deklaruar UEFA për “Zërin”.

“Ky sistem funksionon që nga korriku 2009. BFDS-ja i vëzhgon lëvizjet e parregullta të basteve para dhe gjatë lojës në të gjitha tregjet e basteve kryesore në Evropë dhe në Azi”, ka shpjeguar organizata e futbollit evropian. Pa dyshim, dënimet janë të ashpra për ndeshjet që shitblihen apo që përdoren për përfitime në baste. Me dënime të tilla janë provuar shumë klube të shteteve të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të Shqipërisë.

Derisa klubet e ndyta dënohen kryesisht me heqje të pikëve, trofeve, zbritje nga rangjet garuese, përjashtime nga garat evropiane, pezullime e suspendime të ndryshme, individët që merren me kurdisje ngarkohen me aktakuza që kanë të bëjnë me vepra penale dhe përfundojnë prapa grilave, përpos që u ndalohet marrja me futboll.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6