UEFA dërgon 10 zyrtarë në Elbasan për ndeshjen

UEFA shton masat për Shqipëri-Serbi. Një ekip special do të jetë i pranishëm sonte në mbrëmje në “Elbasan Arena” për të survejuar mbarëvajtjen e këtij takimi si brenda fushe, edhe në tribuna.

Sport

08/10/2015 13:50

Nëse në ndeshje të zakonshme jemi mësuar që të shohim 1 ose 2 vëzhgues, këtë herë UEFA ka menduar që të shtojnë “dozën”. Në gatishmëri do të jetë 10 zyrtarë që do ta ndjekin me vë- mendje këtë përballje mes dy ekipeve ballkanike, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2016″, shkruan “Panorama Sport”.

Mes të deleguarve, do të jetë një vëzhgues për çështje sigurie, ndërsa nuk do të mungojë edhe një koordinator.

Ky i fundit do të merret me raportet mes të dyja skuadrave. Duke e parë në këtë prizëm, duket qartë se edhe vetë ndërkombëtarët po e trajtojnë si një ndeshje të jashtëzakonshme.

Sikundër raportojnë mediat kosovare, zyrtarë të UEFA-s, edhe pse kanë rritur sigurinë, e kanë cilësuar këtë si një masë normale, ndonëse numri i vëzhguesve është realisht i lartë, krahasuar me çdo ndeshje tjetër.

Incidentet që ndodhën në Beograd më 14 tetor të 2014-ës kanë ndërgjegjësuar institucionin më të lartë të futbollit në Europë që këtë herë të jenë më të përgatitur. Mobilizimi në vendin tonë është shtuar ndjeshëm në kryeqytet, sidomos në qytetin e Elbasanit, ku do të luhet edhe kjo përballje.

Por, sigurisht kulmi do të arrijë sot. Pritet që të dyja qytetet (Tiranë e Elbasan) dhe, mbi të gjitha stadiumi, të jenë në “shtetrrethim” dhe me masa ekstreme sigurie.