UEFA befason Shqipërinë

Grupi i kontrollit të UEFA-s për substancat e ndaluara mësyu në rezidencën ku është grumbulluar Kombëtarja shqiptare në Bad Waltersdorf të Austrisë.

Sport

25/05/2016 13:11

Dhjetë lojtarët të Kombëtares shqiptare i janë nënshtruar testit Anti-Doping nga UEFA.

Menjëherë pas zgjimit, dhjetë futbollistë kuqezi i’u nënshtruan kontrolleve.

Cikalleshi, Berisha, Lenjani, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Memushaj e Abrashi ishin në listën kryesore të përcaktuar nga UEFA. Kontrolle ishin parashikuar edhe për Ansi Agollin dhe Burim Kukelin, të cilët ende nuk i janë bashkuar skuadrës kuqezi në grumbullim.

Kjo bëri që dy lojtarët të zëvendësoheshin me emrat e kuqezinjve në listën rezervë, me Migjen Bashën dhe Andi Lilën që i’u nënshtruan testeve, raporton SuperSport.

Lojtarët u shoqëruan nga pjesëtarët e Anti-Dopingut në tualet për provën e urinës dhe në një dhomë të posaçme për testin e gjakut.

Edhe pse lojtarët i pritën me humor kontrollet Anti-Doping, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trajnerin Gianni De Biasi. Vizita e befasishme nga grupi i UEFA-s bëri që stërvitja e paradites në ditën e tretë të niste me 15 minuta vonesë.

“Pasi mbaruan procedurat, lojtarët dolën në stërvitje. UEFA gjithmonë zhvillon teste të befasishme, që sipas stafit mjekësor do të vazhdojë deri në startin e Kampionatit Europian.”

Kontrollet surprizë shkaktuan anomali në përgatitjet e parashikuara në programin e stërvitor, ndërsa prej këtij episodi edhe vetë trajneri De Biasi u paraqit me vonesë në fushat stërvitore.

Përgatitjet e skuadrës vazhduan të cunguara, me dy kuqezinjtë, Sokol Cikalleshi dhe Andi Lila që munguan në gjysmën e parë të stërvitjes, pasi u vonuan nga Anti-Dopingu.

Ky ishte kontrolli i dytë i befasishëm i UEFA-s për Kombëtaren, pas atij të muajit mars në Austri për miqësoret me Austrinë dhe Luksemburgun. Edhe në atë rast, kontrolleve anti-doping i’u nënshtruan 10 futbollistë kuqezi.