Udhëtoi për 30 ditë me traktor nga Gjermania, arriti në Rusi 2 orë para ndeshjes me Meksikën

Një banor gjerman nga Neuhausen i Pforzheimit ishte nisur me traktor për ta parë ndeshjen midis Gjermanisë dhe Meksikës në Rusi, duke ndërmarrë një aventurë argëtuese.

Sport

18/06/2018 11:28

Traktoristi gjerman ka udhëtuar për 30 ditë të tëra dhe dy orë para se të fillojë ndeshja e ka arritur cakun.

“Ndjehem shumë mirë”, ka pohuar Huberth Wirth për mediat gjermane, përcjell Albinfo.ch. Pas një udhëtimi të gjatë, ai me automjetin e tij të zhurmshëm është gjendur para stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja. Në rimorkion e tij që ka qenë e ngjitur në traktorin e tij, e kishte vendosur mbishkrimin: “Hallo Moskau”.

Mesatarisht, ai ka vozitur rreth 20 kilometra në orë, duke i kaluar plot 2.400 kilometra, ka rrëfyer Wirth, i cili bashkudhëtar e ka pasur qenin e tij me nofkën “Hexe”.

Udhëtimi, sipas tij ka qenë i shkëlqyeshëm. “Takimet me njerëzit kanë qenë gjëja më e mirë që më ka ndodhur”, ka theksuar Wirthi i gëzuar.

Se përse ai ka ndërmarrë këtë udhëtim me traktor, ai ka deklaruar se një gjë të tillë e ka hobi.