Udhëtimi i gjatë për Evropë

Derisa të vdekurit votojnë në zgjedhjet kosovare, është vështirë të pritet që të gjallët të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Opinion

29/01/2014 09:40

E tëra është shndërruar në punë ankandi.

Thuaja përditë, dëgjohen dhe lexohen deklarata të politikanëve të Kosovës se kur do të duhej mbajtur zgjedhjet nacionale (parlamentare).

U nis me javën e tretë të shtatorit, pastaj, dolëm në qershorin e këtij viti, për të mbërritur së fundi edhe në muajin mars, si afat kohor më të mirin (kinse) për t’ia mësyrë kutive të votimit.

Ideja e mbramë, për marsin zgjedhor, do të nënkuptonte që Kosova të hyjë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Të mbramat që i mbajmë në mend  (të jashtëzakonshmet), ato të dimrit të viteve 2010/2011, kanë qenë aq keq të organizuara, saqë edhe këtu duhet përmendur atë të moçmen: ‘Mos na raftë me i harru…’.

E s’do mend që do t’i harronim, nëse njëmend do të ndodhte dakordimi politik që kështu këmbë e krye t’i bëjmë zgjedhjet pas dy muajsh.

Por, argumentet nuk bëjnë më punë në këtë politikën kosovare.

Pyetja kryesore që çon kokë sa herë të flitet për zgjedhje është: ‘Kush po u frikësohet atyre?’. Në rrethanat e tanishme, vështirë që mund të shfaqet ajo pyetja njëmend kryesore: ‘Si t’i bëjmë këto zgjedhje, ashtu që Qeveria e dalë prej tyre të ketë legjitimitetin e plotë?’.

Nëse kjo do të jetë kryeçështja (gjë që do të duhej të ishte), atëherë do të binin poshtë kalkulimet e ngushta partiake, shtyrjet me bërryla e me zë të lartë për afatin kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, inatet dhe pazaret e shumëllojta të cilat kanë nisë të marrin hov edhe brenda vetë subjekteve politike në vend.

Me mendje të esullt, do të kuptohej, ta zëmë, siç u përmend në një ngjarje kushtuar organizimit të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, që është paksa vështirë të kërkohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës me Listat aktuale të votuesve.

Thënë më ndryshe, derisa të vdekurit votojnë në zgjedhjet kosovare, është vështirë të pritet që të gjallët të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Shumë e saktë. Fatkeqësisht.

Për Sundimin e Ligjit bëhet fjalë në te dy rastet. Apo jo.

Si mund, pastaj, të justifikohet fakti që gati tre vjet pasi që Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për këtë çështje  (në prillin e vitit 2014), politika kosovare nuk ka arritur ta përmbyllë reformën zgjedhore?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është përgatitur për 12 muaj, në vitin 2007, ndërsa një Reformë zgjedhore, nuk po përmbyllet për gati 36 muaj.

Nëse sot shpërndahet një lloj pyetësori në skenën politike kosovare se çka, në të vërtetë, nënkupton kjo reformë, vështirë që do të merreshin dy përgjigje identike.

Mungesa e gatishmërisë për t’u përballur me të metat e sistemit aktual zgjedhor në Kosovë, për ta bërë atë sa më të thjeshtë, sa më efektiv për qytetarët (midis tjerash, kjo është kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së dhe e BE-së), për ta shndërruar atë në një lloj force motorike që garanton zgjedhje të suksesshme  (pa qindra mijëra vota jovalide, dukuri kjo që u konstatua edhe në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar), dhe rezultate të shpejta  (e jo pritje disajavore), më në fund, edhe konstituim të shpejtë të institucioneve qendrore të Kosovës, ka bërë që reforma zgjedhore, objektivisht, ta humbë kuptimin e vet.

Duket që maksimumi që mund të arrihet, në rrethanat e tanishme, është pastrimi i mëtejmë i Listës së votuesve dhe shkurtimi i fushatës parazgjedhore.

Detyra e parë është obligim i vazhdueshëm i autoriteteve relevante. Dakordimi i dytë ka mundur të ndodhë për një gjysmë ore diskutim.

Sidoqoftë, një Draft-Ligj i ri për zgjedhjet e përgjithshme është përgatitur tash e një vit e gjysmë  (madje), janë tejkaluar dykuptimësitë e shumta në Ligjin e mëparmë, prandaj, nuk do të duhej vonuar më miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës, për ta krijuar kështu bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë vit.

Derisa të mos ndërmerret ky veprim në Kuvendin e Kosovës, të gjitha fjalët a spekulimet për afatin e mbajtjes së zgjedhjeve janë kotësira në një pazar të çoroditur politik.

Pas miratimit të këtij Ligji, Presidentja e Kosovës do të duhej të niste menjëherë konsultimet politike për orarin e zgjedhjeve parlamentare.

Për pak javë, te dy këto veprime do të mund të përmbylleshin, për të hyrë pastaj në një periudhë kur zgjedhjet më nuk do të ishin temë e çdoditshme politike.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)