Udhëheqësit e shtetit: Zhvillimi ekonomik është i varur nga Teknologjia Informative (Video)

Udhëheqësit e shtetit të Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare për zhvillim ekonomik vlerësojnë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa një përparim të teknologjisë së informacionit. Sipas tyre, duhet të mendohet më shumë për ekonominë kreative dhe atë digjitale. Teknologjia informative, për ta, mbetët faktor themelor për një ekonomi të orientuar nga dijet.

Lajme

06/05/2015 15:19

Në forumin për teknologjinë e informacionit dhe inovacionin, që po mban sot Ministria e Zhvillimit Ekonomik, mes tjerash u tha se është koha që në Kosovë të ngritët Universiteti i Teknologjisë së Informacionit. Për këtë, u tha, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të japë përkrahjen e vet si krijues i tij.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili mori pjesë në forum, tha se në Kosovë ka numër të madh të të rinjve që kanë ambicie në fushën e teknologjisë informative dhe në inovacion.

“Ne kemi ndërtuar një sistem bankar i cili është i ri, i cili është i pajisur me mjaft shërbime në teknologjinë informatike dhe i cili sistem mund të ndërlidhet edhe me sistemin ekonomik, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

“Ne nuk kemi shumë ndërmarrje të mëdha, ndërmarrjet e mëdha i kemi kryesisht në sektorin publik, ndërmarrjet e mesme dhe të vogla i kemi në sektorin privat. Ne mund të ngremë vetëdije të disa firmave të jenë në hap për zhvillimin e kësaj dhe po ashtu kemi në programin qeverisës që të informatizojmë të gjitha shkollat në mënyrë që nxënësit ta aplikojnë teknologjinë informative në të gjitha fazat e arsimimit të tyre nga arsimi fillor, i mesëm dhe arsimi i lartë dhe mendoj që përveç kësaj ne mendojmë se mund ta krijojmë një kulturë të kësaj teknologjie”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci mendon se shoqëria kosovare duhet të nisë të mendojë më shumë për ekonominë kreative dhe për ekonominë digjitale

“Ne e kemi diskutuar edhe me kryeministrin, kryeparlamentarin, ministrat përkatës, të financave, tregtisë e industrisë, edukimit, që dalëngadalë të fillojmë, që edhe sistemin e edukimit të fillojmë t’ia përshtasim kërkesave të tregut të punës. Dhe në këtë rast, në tregun e punës për ata sektorë ku më së lehti dhe më së shpejti mund të gjenerohen vende të reja të punës. Dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës mund të bëhet më së shpejti dhe më së miri, unë kujtoj, me gjenerimin dhe eksploatimin e dijes nëpërmjet kreativitetit njerëzor dhe inovacionit. Dhe kjo gjë nuk mugon në shtetin tonë, gjithmonë e themi që kemi një rini të shkëlqyer”, tha ai.

Forumi për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacion, është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, që ka për qëllim mbledhjen e aktorëve kryesorë vendimmarrës të fushës së TI-së, për të diskutuar çështje të cilat ndërlidhën me zhvillimin dhe avancimin e këtij sektori në Kosovë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik vlerëson teknologjinë informative si faktor themelorë për një ekonomi të orientuar nga dijet. Sipas MZHE-së, përfaqësimi gjithëpërfshirës në panele, kryesuar nga ekspertë ekonomikë, akademikë, institucione qeveritare dhe donatorë potencialë, do të kontribuojë në krijimin e mundësive për një dimension dhe realitet të ri të strategjisë ekonomike.

YouTube player