Udhëheqësi i Shtetit Islamik “është ende gjallë”

Një zyrtar irakian tha se udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është gjallë dhe se po trajtohet në një spital në Siri, pasi është plagosur në një sulm ajror.

Bota

13/02/2018 09:01

“Kemi informacione dhe dokumente të besueshme nga burime brenda organizatës terroriste se al-Baghdadi është gjallë dhe se po fshihet në rajonin Jazira, në verilindje të Sirisë”, tha shefi i inteligjencës së Irakut, Abu Ali al-Basri.

Shteti Islamik ka një prani të konsiderueshme në provincën Hasakeh të Sirisë, edhe pse ka humbur shumicën e kalifatit të vetëshpallur, i cili dikur ka mbuluar një të tretën e Irakut dhe Sirisë.

Basri tha se Baghdadi “vuan nga plagosja, diabeti dhe thyerjet në trup” që e pengojnë të ecin pa u ndihmuar, shkruan rel.

“Udhëheqësi i militantëve është plagosur nga bombardimet ajrore në bastionet e Shtetit Islamik në Irak”, tha Basri.

Javën e kaluar, autoritetet irakiane kanë publikuar një listë të “udhëheqësve terroristë, të kërkuar ndërkombëtarisht”.

Lista kryesohet nga al-Baghdadi, kalif i vetëshpallur, i lindur në vitin 1971, nën emrin Ibrahim Awad Ibrahim Ali al-Badri al-Samarrai.

Vrasja e tij e mundshme është raportuar disa herë.