Udhëheqës shtetërorë e politikë bënë homazhe sot në Reçak

Në 16 vjetorin e masakrës së Reçakut, homazhe të Kompleksi Memorial në Reçak, kanë bërë zyrtarët të larët shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike.

Lajme

15/01/2015 13:11

Kryeministri Isa Mustafa me rastin e homazheve në fshatin e Reçakut, tha se kjo masakër e bërë ndaj popullatës civile, solli intervenimin e komunitetit ndërkombëtar, pasi është një pasqyrë e veprave morbide e ushtrisë dhe policisë serbe të atëhershme.

“Është një pasqyrë e veprave më morbide të regjimit të atëhershëm serb, të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve, të cilët vranë dhe masakruan njerëz të paarmatosur, pleq edhe të rinj, që flet për dimensionet e një lufte shumë të ndytë, dhe një sjelljeje çnjerëzore, e cila u manifestua ndaj popullatës shqiptare këtu, por po ashtu edhe për vlerat e lirisë dhe pavarësisë sonë, të cilat u ngritën mbi gjakun e njerëzve tanë, mbi flijimin e tyre, edhe mbi patriotizmin e tyre”, theksoi kryeministri Mustafa.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në homazhe të viktimave të masakrës së bërë 16 vjet më parë. Ai në Kompleksin Përkujtimor “Masakra e Reçakut”, tha se kjo fatkeqësi paraqet njërën nga shenjat e lirisë së Kosovës.

“Është dhembje e madhe njerëzore. Në të njëjtën kohë është edhe qëndresë e madhe nacionale. Kjo ngjarje ka qenë pikë e kthesës kulmore në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në luftën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, ka thënë Veseli.

Homazhe në Reçak kanë bërë edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosjes të prirë nga kreu i saj, Albin Kurti.

“Erdhëm që të bëjmë homazhe sot në Reçak, në përkujtim dhe në nderim të 45 civilëve të vrarë dhe 11 ushtarëve të UÇK-së, të cilët ranë në mbrojtje të më të dashurve të tyre, të cilët Serbia dëshironte që t’i rrëmbente edhe si kufoma. Pa e nderuar dhe pa e respektuar të kaluarën tonë, ne nuk mund të jemi të sigurt dhe të fuqishëm drejt së ardhmes sonë”.

“Pa jehonën e pushkëve të UÇK-së dhe pa tronditjen që opinionit publik ndërkombëtar ia bëri kjo masakër, nuk do të dëgjohej ushtima e avionëve të NATO-s teksa ata bombardonin caqet ushtrisë jugosllave dhe të policisë serbe”, tha Kurti.

Ndërsa kreu i partisë tjetër opozitare, Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj tha se dëshmia më e mirë se cili ishte synimi i Serbisë, ndaj shqiptarëve të Kosovës është Reçaku.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë familjaret e dëshmorëve të Reçakut dhe për gjithë Kosovën, 16 vite më parë fati i qytetarëve të Kosovës ishte në udhëkryq. Dëshmia më e mirë se cili ishte plani i shtetit serb për shqiptarët është Reçaku, ishte plani për shfarosje, shkatërrim të dinjitetit dhe largimin e njerëzve nga vendi ynë.

“Shpreh respektin, mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë dëshmorët e Kosovës dhe posaçërisht në këtë vend të shenjtë që jemi sot, ku fatet e Kosovës ndryshuan, dhe bota demokratike e pa që regjimi okupator serb, qytetarët e Kosovës i ka parë si njerëz të cilët mund të bëjë çdo gjë me ta, t’i shfarosë, t’i vrasë, t’i përdhosë”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Në nderë të përvjetorit të kësaj masakre, himazhe bënë edhe një delegacion i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)