Udha e humbur në oborr

Këtu në oborr, jemi së bashku, në një treg të plaçkave, në një zhurmë të madhe ku nuk e dëgjojmë njeri-tjetrin, ku pështyjmë dhe fyejmë 24/7, duke menduar madje që kemi të drejtë. Çfarë makthi.

Opinion

31/12/2013 09:00

Fundi i çdo viti në një vend, në një shoqëri, në një familje, është gjithsesi Raport i progresit.

Është iluzion i madh të mendohet që ka ngecje a vendnumërim në një vend, në një shoqëri, në një familje.

Diç e tillë nuk ekziston në politikë, në ekonomi, në kulturë.

Gjërat lëvizin, gjithsesi. Mbarë ose mbrapsht, para ose mbrapa, ato përparojnë apo prapakthehen, por assesi nuk rrinë në një vend.

Natyrisht, dallon (përherë) njësia matëse e ecjes para ose mbrama, në çdo fushë.

Një vend, një politikë, së pari duhet të matet me veten, me rrethanat që ka, me atë çfarë ka trashëguar një vit më parë (së paku), pastaj, me të tjerët në fqinjësi, më në fund duhet t’i krahasojë sukseset dhe dështimet e veta me synimin që ka, si shtet, si politikë, si ekonomi, si kulturë.

Në rastin tonë, aktualisht së paku, në këtë fundvit, mund të thuhet pa gabuar aspak që nuk jemi në gjendje të bëjmë një matje të kësisojt, sepse nuk kemi peshore objektive, sepse nuk kemi pajtim se çfarë kemi trashëguar si shoqëri (nga e kaluara), sepse nuk dimë të krahasohemi me rajonin ku jemi, sepse nuk arrijmë të përkthejmë në një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë, vlerat që i kemi sot, dhe që duhet t’i mbërrijmë tash e tutje për të mbërritur aty ku synojmë, në Perëndim, në Bashkimin Evropian.

Fundi i çdo viti, në një vend, në një shoqëri, në një familje është gjithsesi Raport për dëshirat dhe për shpresën.

Tek secili prej nesh, si individ, tek të gjithë ne, si shoqëri dhe si shtet, shfaqen në ditët e fundit të një viti, shpresat që gjithçka, ama gjithçka, në vitin vijues të ndryshohet për të mirë. Është një përgjërim për mrekulli, për një zëvendësim të menjëhershëm, të denjë për një fitore në shortin e lotarisë, të fatit tonë të sotëm, me një të ri, që do të shquhet me të gjitha të mirat e mundshme materiale, shpirtërore, shëndetësore.

Është iluzion i madh të mendohet që ka një ndryshim aq rrënjësor i fatit në një vend, në një shoqëri, në një familje.

Diç e tillë nuk ekziston në politikë, në shoqëri.

Apo, kjo mund të ndodhë një herë në një mijë vjet me një popull. Siç u bë me ne, si shqiptarë të Kosovës, në qershorin e vitit 1999.

Natyrisht, diç e tillë ndodh me të bekuarit e lojërave të fatit. Të cilët i paguajmë të gjithë ne, që blejmë atë biletën e lotarisë. Ndërsa mendojmë që fati ka pikë prej Qielli. E ai ka dalë prej bashkimit të xhepave/kuletave tona.

Gjithçka është vazhdimësi, si tek njeriu dhe familja, ashtu edhe tek një vend, tek një shtet.

Fundi i secilit vit, më në fund, është raport për gëzimin. Ai është identiteti i kësaj feste, e cila brenda një dite dhe një nate, shpreh atë trashëgiminë mijavjeçare të Perëndimit, për një Fund të domosdoshëm që është relativ, dhe që ndërrohet me një Fillim të ri, që duhet të jetë absolut. Deri tek Fundi i tij i radhës.

Politika e Kosovës, këtë 31 dhjetor, e pret pa Quorum. Pikërisht si Parlamenti i Kosovës. Aty më nuk ka Quorum nga askush, për asgjë.

Ky Parlament shpeshherë është krahasuar, krejt gabimisht, me një cirk.

Në cirk ka rend dhe rregull, ka magjistarë dhe mrekulli (artificiale, natyrisht), ka akrobatë dhe ka kafshë që janë mësuar të argëtojnë masat.

Po shihet pra që nuk ka gjë të përbashkët midis cirkut dhe Parlamentit.

Jo vetëm në politikë, por siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, edhe në shoqërinë kosovare më nuk ka Quorum. Nuk ka Quorum, pra, për vlerat e padiskutueshme që duhet t’i kemi në politikë, në ekonomi, në religjion, në kulturë, në drejtimin tonë qytetërues.

Nuk ka Quorum ta zëmë, se çfarë do të duhej të vendosnim, si dhuratë për këtë vend, për njeri-tjetrin, poshtë një bredhi imagjinar të Kosovës.

Deri para pak viteve, të thuhet një gjë e tillë prej akëcilit prej nesh, do të shpallej e denjë për marrëzinë e vitit. Po tash, kur marrëzitë e lloj-llojshme janë lajm i ditës në mediat tona, (lajm i përditshëm, le të përsëritet ky konstatim), është gabim të injorohet ky vlerësim dhe të mendohet që ne si komb, si shoqëri, si shtet, e dimë ku jemi, kah po shkojmë dhe si do të mbërrimë atje.

I mençmi i kohërave të moçme na e ka lënë atë të pavdekshmen për humbjen e udhës në oborr.

Në këtë status jemi ne sot. Realisht.

Kemi humbur udhën në oborr. Dhe aty në oborr, jemi së bashku, në një treg të plaçkave, të tregtisë të llojit ‘gjithçka për një Euro’, në një zhurmë të përbashkët ku nuk e dëgjojmë më njeri-tjetrin, ku pështyjmë dhe fyejmë 24/7, duke menduar madje që kemi të drejtë.

Çfarë makthi.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)