Uashingtoni: Fundi i dhunës në Siri duhet të fillojë në këtë çast

Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh sot jashtëzakonisht i shqetësuar nga bombardimet e regjimit sirian në Gutan Lindore.

Bota

21/02/2018 07:44

Guta është një enklavë rebele e rrethuar në lindje të Damaskut, ku kanë vdekur rreth 250 persona që prej të dielës sipas Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut (OSDH).

“Fundi i dhunës duhet të fillojë në këtë çast”, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë amerikane, Heather Nauert para medias, duke dënuar taktikat e presidentit sirian Bashar Al Asad.

“Uashingtoni është jashtëzakonisht i shqetësuar nga këto bombardime shumë shqetësuese”, theksoi zëdhënësja.

“Të paktën 106 civilë u vranë sot në bombardimet mbi Gutan Lindore”, sipas OSDH-së.

“Kjo shifër bën që të arrijë në 250 numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë që prej të dielës së kaluar në bastionin rebel pranë kryeqytetit”, njofton OSDH-ja.