U shtohet oreksi, nuk kthehen

Lista Serbe që prej se ka filluar bojkotimin e institucioneve të Kosovës, pas shkarkimit të ministrit Aleksandar Jabllanoviq rreth tre muaj më parë, vazhdimisht është duke vendosur kushte për kthimin e saj në institucionet e vendit. Kushti më i ri është ndalja e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në komunat me shumicë serbe.

Lajme

23/04/2015 08:55

Kjo është bërë e ditur edhe nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin Isa Mustafa në Bruksel.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se Lista Serbe dhe Beogradi janë duke tentuar që të problematizojnë çështjen e kthimit të këtij subjekti në institucionet e vendit, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë.

Por, ai është i mendimit se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë presion që Lista Serbe të kthehet në Kuvend dhe të votojë themelimin e Gjykatës Speciale.

“Qëllimi kryesor i Listës Serbe dhe i Beogradit është që t’i problematizojnë maksimalisht çështjen e kthimit të këtij subjekti në institucionet e vendit dhe të privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe të përfitojnë maksimalisht nga këto çështje. Por besoj që bashkësia ndërkombëtare do ta shtojë presionin te Serbia dhe Lista Serbe që ata të kthehen në Kuvend kur të nevojiten votat e saj për formimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë Muhaxhiri në një prononcim për Zëri.

Ndërkaq, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe se ata nuk shohin asnjë pengesë që ata të kthehen në institucione.

“Në  lidhje me kthimin e Listës Serbe në institucionet e Republikës së Kosovës, ne jemi vazhdimisht në kontakt me ta. Nuk shohim ndonjë pengesë serioze për kthimin e tyre, dhe besojmë se shpejt do t’i shohim në institucione”, ka thënë Gecaj.