U paraqit rrejshëm si agjent i AKI-së, policia arreston të dyshuarin në Prishtinë

Policia e Kosovës, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë(NHKEK), pas një pune hetimore në teren ka ndaluar një person i cili dyshohet për tri vepra penale.

Lajme

11/12/2018 16:11

Sipas komunikatës E.J i lindur më 1992 dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Prezantim i rremë si person zyrtar’,  ‘Spiunazh’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’, andaj i njëjti është shoqëruar në njësinë kompetente për procedura të mëtejme.

I dyshuari, dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë  gjoja se është zyrtar në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe  atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë,  duke i venë  në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja. Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme  apo  të rreme, raporton lajmi.net.

Pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore,  i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale. /Lajmi.net/