“U ktheva që andej prej nga rrallë bën vaki të kthehet kush”

Pak ditë më parë, kreu i ALUIZN-it, Artan Lame, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër.

Lifestyle

31/03/2016 01:30

Në një status të publikuar sot në profilin e tij në “Facebook”, Lame shprehet se kjo ndërhyrje e ktheu në jetë nga vdekja.

Statusi i plotë

Miq,
Në botimin e parë të romanit “Njeriu me Top”, Dritëroi fut një nga ato skenat trashendentale, që veç njerëz të pakohë si ai mund t’i shpikin. Aty, plaku Mere, një natë dimri sëmuret dhe vdes, mblidhen njerëzia fshat e krahinë, e qajnë dhe nisen ta varrosin. Pastaj udhës për në varre, plaku Mere, që edhe s’kish vdekur, por kish rënë në një biçim letargjie, u ngjall dhe filloi t’i bjerë me grushte qivurit. Njerëzia ja dhanë vrapit të tmerruar, ndërsa plaku mbeti në krah të qivurit vetëm me hoxhën që këndonte duva për këtë mrekulli të paparë të Allahut. Nejse, në fund, plaku Mere kthehet në shtëpi nëpër të ftohtë dhe skena mbaron me të pranë zjarrit, duke kontrolluar listat se kush i kish vajtur në varrim e kush jo.

Pak a shumë kjo më ngjau edhe mua. Si u ktheva që andej prej nga rrallë bën vaki të kthehet kush, kam dy ditë që lexoj, e lexoj e, s’mbarojnë mesazhet e njerëzve njohur e panjohur, që m’i nisnin ndërsa as vet s’e dija në isha këtej a andej. JU FALEMINDERIT TE GJITHEVE! Të njohur e të panjohur, të afërm e të largët. I faleminderit Mirelës që në dyshimin e pakorrigjueshëm nëse duhej bërë a jo ndërhyrja, vendosi gjënë e drejtë (është hera e parë në jetë që merr një vendim pa më pyetur mua). Ju faleminderit të gjithë ekipit të mjekëve të operacionit 7-orësh, mjekëve që më ndiqnin në çdo çast, ndihmësmjekeve, infermierëve, e deri tek sanitarja më e fundit. Ju faleminderit juve që erdhët e me takuat në spital, apo që erdhët deri atje dhe u mjaftuat veç të pyesni në isha mirë. Ju faleminderit të gjithë ju që më ofruat gjithë ç’mundnit, nëse do kisha nevojë.
Unë nuk e di nëse u bë burrë më i mirë a më i lig plaku Mere, kur përfundoi ekzaminimin e listave të atyre që i kishin vajtur a mosvajtur në varrim. Unë për vete jam bëre më i mirë.

Thelbi i besimit qëndron tek dy gjëra, tek dhimbja dhe tek tërheqja. Dhimbja, vuajtja fizike, e bën njerinë të kuptojë kotësitë e shumicës së botës materiale. Dhe tërheqja, shkëputja nga bota, e bën të fitojë atë distancë të domosdoshme që duhet për t’u ngritur mbi tollovitë e zallamahitë e ditës. Unë i kalova të dyja, ndaj më lejoni t’u them ç’kuptova në fund.

Mos u zini kot. Ka për të gjithë. Duajeni më shumë njëri-tjetrin. Nëpër ditët kur isha hequr mënjanë botës dhe orët i kaloja veç mes dhembjesh fizike që nuk mbaronin e nuk mbaronin, kuptova pikërisht këtë gjë. Shpikim e sajojmë mes nesh kaq shumë keqdashje, zili, smirë, urrejtje, hile, që e bëjnë më kot edhe më të dhimbshme botën tonë, që edhe pa to është plot dhimbje. Dhe që në fakt është plot njerëz të mirë e qëllim mirë, njerëz të vuajtur e të ndershëm, njerëz të mësuar me mundimin dhe vuajtjen dhe që i kalojnë ato pa shume filozofi, thjesht i kalojnë. Ishte një surprizë e pamatë për mua të shihja vajza e djem të rinj infermiere, që kalonin 12 ore turne nate, duke u kujdesur pa prerë, si t’i kishin prindër, për njerëz që as i njohin e as do i shohin më pas një a dy ditësh.

Bota mbështet mbi hapësirën dhe kohën. Atëherë në doni ta bëni një gjë, bëjeni, pasi kur të doni, ndoshta s’do mundeni dot më. Nëse doni ta hapni një portë, hapeni. Është gjithmonë bukur.

Krishterimi e humbi luftën me botën tokësore. I hyri një beteje qindravjeçare që në fillesat e kapitalit në Republikat Italike, apo nëpër qytetet racionale të Vendeve të Ulta, s’ka rëndësi. Por pavarësisht kësaj lufte planetare të humbur, ai s’harron kurrë që të na kujtojë disa të vërteta universale, sa herë që pranojmë të kemi veshë: Kot mundohemi për vete. Në rastin më të mirë të mundshëm, prapë ato të shkreta 2 metra dhé do marrim në fund. E vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. S’ka rëndësi çfarë, panem, amor, vitam./shekulli