U kap me pajisje përgjimi në Rinas, izraeliti vihet nën hetim për 2 akuza

Disa orë pas ndalimit të shtetasit izraelit Yoram Frig, për shkak të zotërimit prej tij të një pajisjeje elektronike të dyshimtë, Prokuroria e Tiranës regjistroi dje një procedim penal kryesisht në lidhje me rastin.

Lajme

25/03/2017 10:21

Burime nga prokuroria bënë të ditur se hetimi kishte nisur pas informacioneve të bëra publike në media. Të njëjtat burime thanë se hetimi nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.

Hetimi i mëtejshëm do të provojë nëse elementë të këtyre dy veprave penale janë konsumuar nga izraeliti Frig apo punonjësit e Policisë të Rinasit, që kanë lejuar hyrjen në Shqipëri të një pajisjeje të tillë.

Sakaq, pajisja elektronike që iu gjet dhe sekuestrua shtetasit izraelit do t’i nënshtrohet një ekzaminimi teknik të specializuar, i cili do të zbulojë shërbimet që mund të realizojë pajisja.

Pas ndalimit të shtetasit izraelit në Aeroportin e Rinasit me një pajisje të dyshuar si përgjuese ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ai tha se pajisja po largohej nga Shqipëria, pas largimit të Saimir Tahirit nga ministër i Brendshëm. /Syri.net