U hap panairi “Prishtina 2015”

Sot është hapur panairi i 15-të me radhë “Prishtina 2015”. Edhe pse organizatorëve nuk u eci mirë fillimi i këtij panairi, thanë se ky është vendi adekuat për të lidhur bizneset me konsumatorët.

Lajme

29/04/2015 16:11

Në momentin që ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami deshi të hap panairin me një fjalë rasti, pati ndërprerje të energjisë elektrike.

Megjithatë, Bajrami, pasi përshëndeti KEDS-in, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që brenda mundësive të tyre ta vizitojnë këtë panair sepse ndërmarrjet kosovare kanë nevojë për mbështetjen tonë, gjithnjë duke i besuar këtyre produkteve.

Panairi 1

Ajo madje tha se është e kënaqur me produktet e ekspozuara në këtë panair të grave ndërmarrëse.

“Unë jam e kënaqur që në panair po ashtu ka edhe produkte të ekspozuara nga gratë ndërmarrëse dhe ne si ministri kemi marrë pikërisht për barrë që të sponsorizojmë shtandet e këtyre ndërmarrësve, sepse ambienti i biznesit sot është një sfidë, e për gratë këto sfida janë të dyfishta duke marrë parasysh që vetëm 10% e tyre janë pronare të patundshmërive”, tha Bajrami.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se ky panair është vendi i duhur për të promovuar produktet vendore.

“Kohëve të fundit kemi bërë analiza të shumta, në vitin 2014 ndër problemet kyçe për të bërë biznes në Kosovë kanë qenë dukuritë negative si korrupsioni, burokracia, nepotizmi, ndërsa këtë vit problemi kryesor është furnizimi me energji elektrike dhe çmimi i energjisë elektrike, prandaj të bëjmë një apel ndaj institucioneve që të punojnë më tepër në këtë drejtim, sepse sot e gjithë kjo punë dhe kjo mbështetje institucionale e cila është duke u bërë mori një notë negative edhe në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, mungesa e energjisë elektrike” ,tha Gërxhaliu.

Ndërsa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha se panairi është krijuar në një pikë referente të zhvillimit ekonomik të vendit dhe para së gjithash të sektorit privat në vend.

Ai tha se Qeveria do të jetë parneri kryesor i sektorit privat.

“Qeveria do të jetë partneri juaj kryesor dhe për ne është jashtëzakonisht i rëndësishëm partneriteti me sektorin privat, me afaristët e Kosovës sepse ju jeni ata të cilët në mënyrë të vazhdueshme jeni ballafaquar dhe po ballafaqoheni me sfida të ndryshme, me probleme të natyrave të ndryshme dhe është obligimi dhe zotimi ynë që bashkërisht këto sfida t’i tejkalojmë”, tha Krasniqi

Kryetari i shoqatës së bizneseve shqiptare në Zvicër, Naser Mustafa tha se dëshirojnë të jenë pjesë e proceseve zhvillimore në Kosovë sepse vetëm përmes zhvillimit ekonomik, Kosova mund të arrijë stabilitet politik dhe stabilitet social.

Panairi do të zgjasë deri më 2 maj dhe është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, transmeton KosovaPress.