U desh ta shtyja më shumë Balen

Marc Bartra thotë se është dashur ta shtynte më shumë Gareth Balen, në rastin kur ylli uellsian e shënoi golin e fitores së Real Madridit, në finale të Copa del Rey. Mbrojtësi i Barcelonës arsyetohet se në ato momente pati tërheqje muskulore.

Sport

21/04/2014 17:21

Marc Bartra e ka përshkruar momentin kur Gareth Bale e kaloi atë dhe e shënoi golin e fitores së Real Madridit ndaj Barcelonës, në finale të Copa del Rey.

Mbrojtësi spanjoll e shtyu yllin uellsian, por ish futbollisti i Tottenhamit ‘fluturoi’ drejt portës së Jose Pintos, të cilin e mposhti me lehtësi.

“Duke e parë nga një perspektivë ndryshe, do të duhej ndoshta ta shtyja më shumë. Më pas e kam ndier një tërheqje muskulore”, deklaroi futbollisti spanjoll për Barca TV.

Ai po ashtu e ka komentuar edhe fitoren e Barcelonës ndaj Athletic Bilbaos me rezultat 2:1 të dielën mbrëma.

“Jam i kënaqur dhe krenar me këtë fitore. Nuk ishte aspak e lehtë, pas sfidave të fundit. Unë jam i kënaqur me mënyrën se si po shkon viti im, shpresoj të qëndroj këtu sa më gjatë të jetë e mundur”, përfundoi Bartra.