Tusk në Shqipëri: Jeni më evropianë se disa në BE

Dy ishin pikat për të cilat Shqipëria mori vlerësimin maksimal nga Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Lajme

24/04/2018 14:11

Në deklaratën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, së pari ai renditi pozicionimin e palëkundshëm të Shqipërisë krah aleatëve Evropianë dhe Shteteve të Bashkuara. Si shembull solli reagimin pas sulmit me agjentë nervorë ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal.

“Shqipëria e tregoi me rastin Skripal se është një nga partnerët me besnikë të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Pika tjetër ishte toleranca fetare.

“Vlerësoj markën unike të Shqipërisë për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën. Këto janë themelet që mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam ndjesinë personale se jeni më europianë ju këtu se disa evropianë të BE-së”, deklaroi kreu i Këshillit Evropian.

Presidenti vuri në dukje gjithashtu edhe thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në të gjitha fushat, jo si alternativë ndaj BE-së, por si mjet për të punuar në dobi të vetë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.