Turqit e marrin edhe tregun e energjisë alternative në Kosovë

Privatizimi i Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk do të jetë investimi i vetëm nga kompanitë turke në fushën e energjetikës.

Lajme

25/10/2017 12:27

Turqit po e synojnë ta marrin edhe tregun e energjisë alternative në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala. Për këtë punë tashme një kompani turke veç është vendosur në Kamenicë dhe është pajisur me të gjitha licencat e nevojshme për të filluar në vitin tjetër me prodhimin e energjisë nga era.

Bëhet fjalë për kompaninë turko-kosovare “Air Energy” e cila përveç investimit fillestar prej 50 milionë euro, është duke planifikuar investime edhe në dy pika të reja të energjisë me erë, me një kapacitet prej 33 megavatë.

Kompania që ka punësuar rreth 200 veta, synon të nisë me prodhimin e energjisë elektrike në muajin maj të vitit 2018.

Ndërkaq, drejtuesit e saj i ka pritur në një takim të veçantë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nga Zyra e kryeministrit kanë njoftuar se Haradinaj ka pritur në takim Sahit Vokshin dhe Ibrahim Amaneric, bashkëpronarë të “Air Energy”, firmë turko-kosovare, që ka bërë investime në prodhimin e energjisë alternative në Kikë të Kamenicës.

“Kryeministri Haradinaj e përgëzoi Vokshin për të arriturat e deritashme, duke u zotuar se Qeveria që e drejton ai do t’u qëndrojë afër investitorëve vendor dhe të huaj, duke krijuar një ambient sa më të volitshëm për të bërit biznes. Vokshi e informoi kryeministrin e vendit se pos investimit aktual me rreth 50 milionë euro, janë duke planifikuar investime edhe në dy pika të reja të energjisë me erë, prej 33 MË, që do të nisin prodhimin në muajin maj të vitit 2018”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

 “Air Energy” do t’ia shesë rrymën KEDS-it

Ndërkohë rrymën që do ta prodhoj “Air Energy” do t’ia shesë të gjithën kompanisë tjetër turke KEDS, e cila e ka privatizuar për 26.3 milionë euro rrjetin e energjisë së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Fjala Sahit Vokshi, përfaqësues i kompanisë, derisa ka shtuar se kompania “Air Energy” i ka në përbërje të gjithë aksionarët nga Turqia.

“Kyçjen e kemi në KOSTT. Rrymën do t’ia shesim KEDS-it”, ka thënë Vokshi.

Gazeta Fjala mëson përmes burimeve të saj se futja në treg e kësaj kompanie mund ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. Kjo për faktin se energjinë e prodhuar “Air Energy” do t’ia shes KEDS-it, ndërsa energjia alternative dihet se është më e shtrenjtë.

“Energjia që prodhohet nga era ka çmim shumë të shtrenjtë. Kjo pritet të ndikojë në çmimin e rrymës”, ka thënë ky burim, njohës i kësaj fushe.

Kompania “Air Energy” ka pritur për më shumë se 5 vite që të pajiset me licencë, ndërsa tash investimet fillestare veç janë kryer. Bëhet fjalë për 50 milionë euro investim fillestar dhe me synimin për hapjen e pikave të reja të prodhimit të energjisë nga era.

Kapaciteti i prodhimit të energjisë nga era nga kjo kompani do të jetë 33 megavatë.

Sipas Vokshit, për momentin të punësuar janë 200 punëtorë, ndërsa në fund pritet që të përhershëm të mbesin deri në 20 punëtorë.

Azemi: Ky është investimi më i madh në energji alternative

Visar Azemi nga KOSID ketë investim e ka parë si lajmë të mirë për Kosovën. Ai thotë se me ketë po jepet mesazh i qartë se në Kosovë mund të prodhohet energji alternative.

“Unë po e shoh prej aspektit të investimeve, i ndihmon miksit energjetik në vend, ndihmon në krijimin e sigurisë energjetike. Kosova duhet me u mbështet edhe në energji alternative”, ka thënë Azemi.

Veç kësaj, investimet në energji alternative sipas Azemit i ndihmojnë Kosovës që t’i kryej edhe disa obligime që dalin nga Traktati i Energjisë.

“Kjo ka me dëshmu që Kosova ka mundësi me zhvillu energji alternative e cila dihet se nuk ka kosto ambientale edhe shëndetësore”. Lidhur me investimin konkret Azemi thotë se është njëri prej investimeve më të mëdha deri më tani të kësaj natyre. /Gazeta Fjala