Turqia vështron e qetë pushtimin e qytetit kufitar (Kobane) nga “Shteti Islamik”!

Një flamur i “Shtetit Islamik” është ngritur në maje të një ndërtese në hyrje të qytetit Kobane, ndërkohë që po vazhdojnë luftimet e ashpra mes militantëve sunitë të organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIL) dhe luftëtarëve kurdë.

Bota

06/10/2014 17:01

Qyteti sirian i populluar me kurdë ndodhet vetëm disa qindra metra nga kufiri me Turqinë, por brenda pak orësh duket se do të bjerë në duar të militantëve të ISIL-it, të cilët në muajin korrik shpallën “Shtetin Islamik” në tokat e okupuara në Siri dhe Irak, me pretendime për t’u shtrirë edhe në shtete tjera të Lindjes së Mesme.   

Idriss Nassan, një zyrtar kurd në këtë qytet i ka thënë BBC-së se kodra strategjike afër qytetit e quajtur Mistenur tashmë është pushtuar nga ISIL-i, dhe se një flamur i “Shtetit Islamik” po valëvitet në majën e një ndërtese në hyrje të Kobanes.  

Në Kobane, luftimet që kanë nisur para dy javësh, janë intensifikuar tri ditët e fundit, por duket se forcat kurde mund të munden nga militantët e “Shtetit Islamik”, përkundër përpjekjeve që po bëjnë vendet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që me sulme ajrore të ngadalësojnë përparimin e tyre.

Më shumë se 160.000 sirianë, kryesisht kurdë nga ky qytet dhe rrethina e tij kanë hyrë në Turqi gjatë dy javëve të fundit, ndërkohë që mijëra të tjerë janë akoma të rrethuar nga militantët.

BBS citon korrespondentin e vet të ketë thënë se në kufi dëgjohen tingujt e armëve të zjarrit, ndërsa shtëllungat e tymit vazhdojnë të dalin mbi qytet.

Të dielën një grua kurde kreu sulmin e parë vetëvrasës në Kobane, duke vrarë një numër të militantëve sunitë, të cilët javën e kaluar iu prenë kokat shtatë luftëtarëve kurdë që i kishin zënë peng.

Ndërkohë raportohet se policia turke është përleshur me refugjatët kurdë që kanë ikur nga Kobane, për shkak të mosreagimit të Turqisë për të parandaluar masakrimin e banorëve të këtij qyteti kufitar.  

Militantët e ISIL-it kanë vrarë mbi 10 mijë civilë, të krishterë dhe myslimanë shiitë, që nga fillimi i ofensivave të tyre në muajin qershor, ndërkohë që mbi tre milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Javën e kaluar, Ankaraja zyrtare u zotua për të parandaluar rënien e qytetit Kobane në duart e “Shtetit Islamik”, por dëeri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar masakrimin e kurdëve sirianë, gjë që ka acaruar raportet edhe mes turqve dhe kurdëve në Turqi.  /lajmi.net./