Turqia, vendi i 6-të në botë që tërheq më shumë turistë

Turqia, vitin e kaluar me 39.9 milionë turistë ndodhet në vendin e 6-të në mesin e vendeve më të vizituara në botë

Bota

23/02/2018 15:08

Turqia, vitin e kaluar me 39.9 milionë turistë ndodhet në vendin e 6-të në mesin e vendeve më të vizituara në botë.

Sipas përpilimit që AA ka bërë nga të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), vitin e kaluar 1 miliard e 322 milionë persona në të gjithë botën kanë kryer vizita nga një vend në një vend tjetër. Afërsisht 43 për qind e vizitorëve kanë preferuar 10 vende.

Vitin e kaluar vendi më i vizituar ka qenë Franca me 88,9 milionë vizitorë, e cila është ndjekur nga Spanja me 82.2 milionë, SHBA me 72.9 milionë, Kina me 59.3 milionë dhe Italia me 57.8 milionë vizitorë.

Ndërsa Turqia në vitin 2017 me 39.9 milionë vizitorë të huaj ka qenë vendi i 6-të në botë që ka tërhequr turistë të huaj. Turqia është ndjekur nga Meksika me 39.3 milionë, Britania me 38.7 milionë, Gjermania me 37.6 milionë dhe Tajlanda me 34.7 milionë turistë.

– “Në fund të vitit 2018 mund të arrijmë në 45 milionë”

Kryetar i Unionit të Menaxhimit dhe Hotelerisë Turistike Akdeniz (AKTOB), Erkan Yağcı, tha se turizmi i Turqisë pas dy viteve të vështira 2015 dhe 2016 është rikuperuar shpejt dhe ka fituar vrull në vitin 2017.

Pasi ka rikujtuar se shifrat më të mira në turizëm Turqia i ka arritur në vitin 2014 me rreth 41.4 milionë turistë të huaj, Yağcı, tha se “Për këtë vit mund të them se po ecim shumë mirë dhe mund të tejkalojmë shifrat e vitit 2014. Në fund të vitit 2018 mund të arrijmë në 45 milionë(turistë) në Turqi”.

Duke vënën theksin se ka një rritje serioze edhe në turizmin e brendshëm, Yağcı, është shprehur: “Turqia ka një popullatë prej 80 milionë banorësh. Rreth 50-55 për qind e qytetarëve tanë kanë potencialin për të udhëtuar, gjë kjo e cila përbën një burim serioz. Turizmi për Turqinë është një sektor kombëtar. Ne si një vend turistik dëshirojmë që qytetarët tanë të kryejnë pushime. Për këtë ne kemi edhe kushtet, komplekset, por edhe çmime të përshtatshme. Kemi dëshirën që qytetarët tanë të dalin për pushime disa herë në vit dhe të kontribuojnë si në turizmin veror ashtu edhe në atë dimëror. Kjo është shumë e rëndësishme në aspektin e qëndrueshmërisë së sektorit”.

Sipas të dhënave të UNWTO, vendet më të vizituara nga vizitorët ndërkombëtarë në 2017 në krahasim me vitin e kaluar janë si më poshtë:

Vendi 2016 (Persona, milionë) 2017 (Persona, milionë) Ndryshimi (përqind)
Franca 82,6 88,9 7,6
Spanja 75,6 82,2 8,7
SHBA 75,6 72,9 -3,6
Kina 59,3 59,3 0
Italia 52,4 57,8 10,3
Turqia 30,3 39,9 31,7
Meksika 34,9 39,3 12,6
Britania 35,8 38,7 8,1
Gjermania 35,6 37,6 5,6
Tajlanda 32,6 34,7 6,4