Turqia s’mund ta bllokojë Kobanin, ndihmat amerikane dërgohen nga ajri

Derisa autoritetet turke kanë ndaluar aktivistët e huaj të kalojnë kufirin, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se avionët amerikanë kanë furnizuar nga ajri forcat kurde, që luftojnë militantët e “Shtetit Islamik” në qytetin Kobani të Sirisë, 200 metra larg kufirit me Turqinë.

Bota

20/10/2014 11:24

Furnizimet e dërguara nga Shtetet e Bashkuara për kurdët përmbajnë armë, municione dhe pajisje mjekësore, dhe janë të parat të këtij lloji pas disa javë të sulmeve ajrore kundër terroristëve të :Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirirsë” (ISIS), të cilët në muajin korrik shpallën kalifatin e tyre në teritoret e okupuara të këtyre dy shteteve.

Militantët sunitë të “Shtetit Islamik” po përpiqen që prej një muaji të marrin nën kontroll qytetin strategjik të populluar me kurdë në kufirin Turqi-Siri, por përpjekjet e tyre janë ndaluar nga luftëtarët kurdë dhe sulmet ajrore amerikane.

Autoritetet turke ndërkohë kanë ndaluar aktivistë të të drejtave sociale nga Franca, Gjermania dhe disa vende të tjera të Bashkimit Evropian për të çuar ilaçe dhe furnizime ushqimore në qytetin sirian të Kobanit.

Një aktivist social nga Franca, Ari Harki, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës nga kufiri pranë Kobanit se autoritetet turke jo vetëm që po ndalin ndihmat mjekësore dhe furnizimet ushqimore, por po ndalin edhe luftëtarët kurdë të rihyjnë në Siri për të luftuar militantët.

Harki është në mesin e 10 vullnetarëve nga vende të ndryshme të BE-së që janë në Turqi në përpjekje për të kaluar kufirin dhe për të shkuar në Siri me ndihma humanitare.

Ai i ka thënë Zërit të Amerikës se njerëzit në Kobani kanë nevoja kritike për furnizime mjekësore.

Luftimet mes militantëve të “Shtetit Islamik” dhe luftëtarëve kurdë që po mbrojnë Kobanin vazhduan të dielën.

Sulmet me mortaja goditën qytetin duke ngritur shtëllunga tymi.

Mortajat ranë gjithashtu në anën turke të kufirit, në një fushë të hapur ku nuk shkaktuan dëme.

Frederic Hof, një analist pranë Këshillit Atlantik të Qendër për Lindjen e Mesme dhe ish këshilltar për tranzicionit në Siri, thotë se Turqia dhe SHBA-të do të vazhdojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet edhe në të ardhmen.

“E para është që Turqia nuk pajtohet me strategjinë amerikane kundër ISIS-it; ndërsa e dyta ka të bëjë me përfshirjen e Turqisë në luftën civile në Siri”, ka thënë analisti Hof.

Rreth 160 mijë refugjatë nga Kobani me rrethinë kanë kaluar muajin e fundit në Turqi, ndërkohë që mbi 20 mijë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës së luftime në qytet, të rrezikuar nga ndonjë masakër e mundshme.

Turqia menjëherë pas rrethimit të qytetit kishte premtuar ndërhyrje tokësore për të mos lejuar rënien e Kobanit në duar të ISIS-it, por me kalimin e kohës ndryshoi mendje, gjë që çoi në zemërimin e kurdëve turq që sipas shifrave jozyrtare përbëjnë rreth 18 milionë në këtë shtet.

Militantët e “Shteti Islamik” që prej fillimit të ofensivave në muajin qershor, kanë vrarë mbi 10 mijë civilë, shumica të krishterë dhe shiitë irakianë, gjë që çoi në marrjen e vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndërmarrë sulme ajrore deri në siç është premtuar, shkatërrimin e këtij shteti.