Turqia rrit varësinë nga Rusia

Putin dhe Erdogan vunë gurthemelin për centralin e parë atomik të Turqisë. Projekti që ndjek Moska është shumë i qartë në synimin e tij, mendon Rainer Hermann nga gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Bota

07/04/2018 09:39

Në samitin e tre presidentëve, atij turk, Erdogan, presidentit rus, Putin dhe atij iranian, Rohani në Ankara në qendër ishte lufta në Siri. Por presidentët Erdogan dhe Putin krahas kësaj e përdorën samitin edhe për të zgjeruar marrëdhëniet mes tyre duke rritur me këtë varësinë e Turqisë nga Rusia. Që në ditët para samitit u vu re, se Turqia është një nga vendet e pakta anëtare të NATO-s që nuk e nënshkroi aksionin e solidaritetit kundër Rusisë pas sulmit me gaz nervor ndaj agjentit të dyfishtë, Skripal. Për Turqinë as që bëhej fjalë të dëbonte diplomatët rusë

Shkëputja e Turqisë nga NATO

Përkundrazi- marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës po bëhen më të ngushta. Kështu Turqia është i vendi i vetëm anëtar i NATO-s, që do të instalojë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S400. Madje furnizimi është afruar me një vit, në vitin 2019. Po ashtu Turqia është vendi i parë i NATO-s ku Rusia ndërton një central atomik. Blerja e sistemeve ruse S400 mund të bëjë që në të ardhmen, SHBA të mos e furnizojë më Turqinë me avionë ushtarakë dhe centrali atomik në Akkuyu do të rrisë varësinë e Turqisë nga Rusia, sepse vetëm Moska mund të ofrojë shufrat djegëse.

Sipërmarrja ruse Rosatom do të ndërtojë centralin atomik Akkuyu dhe do ta menaxhojë më vonë. Presidenti Erdogan e vlerëson kaq shumë këtë, saqë ai ka rënë dakord për një çmim të garantuar për rrymën e prodhuar. Për Rosatom një pazar me leverdi. Kjo sipërmarrje ndërton 34 centrale atomike në 12 vende. Ndërtimi në Turqi është shumë i rëndësishëm për presidentin rus, Putin, sepse ai kërkon të shkëpusë hap pas hapi Turqinë nga NATO. Prandaj ai erdhi personalisht për vendosjen e gurthemelit me homologun e tij.

Leva ruse

Erdogan ka një argument të mirë në anën e tij – rritja e nevojës për energji rritet në Turqi vit për vit me 9%, ndërkohë që Turqia mund të prodhojë vetë, vetëm 26% të energjisë së kërkuar. Por ndërkohë që Europa po e zvogëlon varësinë e saj energjitike nga Rusia, Turqia po e rrit. Kësaj i shtohet edhe ndërtimi i një gazsjellësi nga Rusia në Turqi, Turkish Stream. Putin u shpreh se kjo e rrit sigurinë energjitike në rajon. Por ajo zgjat edhe levën që ai ka në dorë në të ardhmen kundrejt partnerit të tij më të vogël./DW-Rainer Hermann (FAZ)