Turqia po anon drejt autoritarizmit

Organizata e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” ka paralajmëruar se Turqia po anon drejt autoritarizmit. Në një raport të ri, HRW shkruan se shteti ligjor po gërryhet nën drejtimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili sipas organizatës ka filluar të godasë disidentët dhe lirinë e mediave.

Bota

01/10/2014 13:44

Raporti prej 38 faqesh i HRW-së thotë se presidenti Erdogan dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet po ndërmarrin hapa për të dobësuar shtetin ligjor, për të kontrolluar mediat dhe internetin, si dhe për të ashpërsuar sjelljen ndaj kritikëve dhe protestuesve.

Autorja e raportit, Emma Sinclair Webb, hulumtuesja kryesore në Turqi për HRW-në, thotë se këto ndryshime janë thellësisht shqetësuese.

“Gjatë këtij viti, kemi parë qeverinë turke të reagojë ndaj opozitës politike me ashpërsi të madhe, duke sakrifikuar shtetin ligjor, duke çrrënjosur pavarësinë e gjyqësorit; duke grisur plotësisht librin e rregullave, dhe duke tundur shkopin ndaj opozitarëve politikë”.

Raporti, i transmetuar nga VOA, thotë se hapat mbrapa në të drejtat e njeriut u shtuan vitin e kaluar gjatë protestave në mbarë vendin kundër Kryeministrit Erdogan, i cili u zgjodh president në muajin gusht.

Presidenti Erdogan insiston se protestat nuk ishin një disidencë demokratike, por një përpjekje për një grusht shteti.

Analistja Webb thotë se që atëherë ka patur goditje të mediave dhe miratim ligjesh të ashpra për kontrollin e Internetit, të shoqëruara nga hetime në masë të prokurorisë.

“Ka disa hetime shumë serioze të protestuesve, madje disa për tentativë grushti shteti kundër qeverisë. Ata po përballen me mundësinë e një dënimi të përjetshëm. Kështu që edhe pas një viti vazhdon goditja ndaj protestuesve, ndërkohë që ka fare pak drejtësi për ata që u bënë viktima të dhunës masive të policisë gjatë protestave.”

Raporti gjithashtu nënvizon një përpjekje të vazhdueshme për minimin e shtetit ligjor. Ai përmend hetimet për korrupsion të disa ministrave të lartë dhe familjarëve të tyre. Qeveria thotë se ato ishin përpjekje për ta rrëzuar dhe miratoi legjislacion të ri në parlament që i jep më shumë kontroll mbi gjyqësorin. Pjesa më e madhe e këtij legjislacioni të ri u hodh poshtë më vonë nga Gjykata Kushtetuese.

 Webb paralajmëron se qeveria po shkel në mënyrë masive fuqitë e gjyqësorit.

“Ata duan të kenë mundësinë të kontrollojnë emërimet në gjyqësor, dhe kanë dhënë shenja se dëshirojnë të kenë gjykatës dhe prokurorë që zbatojnë vetëm dëshirat e qeverisë dhe në përputhje me interesat e saj. Kur fillon të krijohet një gjyqësor të tillë, atëherë humbet e gjithë pavarësia e gjyqësorit dhe në thelb minohet shteti ligjor.”

Qeveria insiston se këto fuqi të veçanta janë të nevojshme pasi vendi po përballet me një kërcënim të pahasur më parë ndaj demokracisë. Presidenti Erdogan thotë se një shtet paralel i drejtuar nga besnikë të ish-aleatit të tij, klerikut musliman Fetullah Gulen, po kërkon ta rrëzojë nga pushteti. Zoti Gulen, i cili jeton i vetë-dëbuar në Shtetet e Bashkuara, i mohon këto akuza.

Organizata “Human Rights Watch” lavdëroi qeverinë për përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit prej tre dekadash me grupin rebel kurd, PKK. Raporti nënvizon reformat e qeverisë për t’i dhënë minoriteteve më shumë të drejta. Por, paralajmëron se përpjekjet për paqe janë shuar, dhe bën thirrje për lirimin e aktivistëve jo të dhunshëm politikë kurdë, të cilët janë mbajtur në burg për vite me radhë, shumica të padënuar ende për ndonjë krim.

Raporti gjithashtu flet për nevojën për heqjen e kufizimeve në statutin e vrasjeve dhe torturave politike, që po pengon dëmshpërblimin për qindra viktima dhe familjarët e tyre.

Deri më tani, as qeveria turke dhe as presidenti turk nuk kanë komentuar raportin e Human Rights Watch.