Turqia nxjerr pengjet nga ISIL-i, mbyll kufirin për kurdët

Turqia ka mbyllur kufirin me Sirinë për të ndalur fluksin masiv të refugjatëve kurdë, të cilët po ikin nga Siria për të shpëtuar nga përndjekja e militantëve të “Shtetit Islamik”. 

Bota

22/09/2014 12:55

Menjëherë pas mbylljes së pikave kufitare, shpërthyen përleshjet mes refugjatëve kurdë dhe forcave turke, të cilat përdorën gazin lotsjellës ndaj turmave që përpiqeshin të hynin nga Siria në anënë e Turqisë.

Ankaraja ka bërë të ditur se mbi 130,000 kurdë sirianë kanë hyrë në Turqi gjatë dy ditëve të fundit.

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, ka thënë se përkundër mbylljes së kufirit, autoritetet janë duke u përgatitur për ardhje të reja.

Turqia ka pranuar mbi 847,000 refugjatë sirianë, prejse ka nisur konflikti në Siri, në mars të vitit 2011.

Edhe Agjencia e Refugjatëve e Kombeve të Bashkuara ndërkohë ka raportuar se vërshimi i refugjatëve kurdë gjatë dy ditëve të fundit në Turqi është më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë që nga fillimi i konfliktit në Siri në mars të vitit 2011.

Media arabe njofton se militantët e “Shtetit Islamik” kanë marrë kontrollin e 64 qyteteve dhe fshatrave kurde në një sulm masiv gjatë ditëve të fundit, raporton VoA.

Ndërkohë është bërë e ditur se Ankaraja zyrtare ka arritur të nxjerr 49 diplomatët e saj, të marrë peng në Mosul tre muaj më parë, kur ky qytet irakian u mposht nga militantët e ISIL-it.

Disa parti politike kurde vazhdojnë të akuzojnë Turqinë se mbështet “Shteti Islamik”, një akuzë që Ankaraja e mohon.  

Por edhe qeveria siriane, po ashtu e akuzon Turqinë se i lejon luftëtarët e huaj të hyjnë të territorin e tyre, për t’iu bashkuar radhëve të “Shtetit Islamik”.